Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) sot lëshoi fletë-arreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për zyrtarët e Hamasit, duke i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit për luftën në Rripin e Gazës dhe për sulmet e tetorit të vitit të kaluar në Izrael që u ndërmorën nga grupi radikal palestinez.
Ky vendim nënkupton se Netanyahu dhe të tjerë, tani kërkohen ndërkombëtarisht si të dyshuar e ka të ngjarë që kjo t’i izolojë edhe më shumë. Njëkohësisht, ka gjasa që ky vendim t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.
Por këto fletë-arresti mund të jenë të kufizuara në praktikë, duke qenë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend kryesor aleat i shtetit hebre, nuk janë anëtarë të kësaj gjykate ndërsa disa zyrtarë të Hamasit janë vrarë tashmë në luftën që vijon e ashpër.
Netanyahu dhe liderët e tjerë izraelitë e kanë dënuar kërkesën e kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, për lëshimin e fletë-arresteve për ta, duke e cilësuar “antisemitike”.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, e pati kritikuar kërkesën e Khan-it dhe kishte shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten kundër Hamasit. Po ashtu, Hamasi iu bashkua kritikave ndaj kërkesës së kryeprokurorit.
Gjykata shprehet se ka arsye të bazuara për të besuar se të dy individët, në mënyrë të qëllimshme e me dijeni të plotë, ia mohuan popullsisë civile në Gaza aksesin në objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin, ilaçet e furnizimet mjekësore, si dhe karburantin e po ashtu energjinë elektrike, shkroi paneli prej tre gjyqtarësh në vendimin për të lëshuar fletë-arresti për Netanyahu-n dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.