Bota

GJND sot vendos për kërkesën e Afrikës së Jugut për të ndaluar ofensivën izraelite në Gaza!

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), sot merr vendim mbi kërkesën e Afrikës së Jugut për masat emergjente të kërkuara si pjesë e një rasti më të gjerë që akuzon Izraelin për gjenocid në luftën e Gazës. Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.

GJND-ja, që njihet edhe si Gjykata Botërore është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1945 për të trajtuar mosmarrëveshjet mes shteteve. Nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), të bazuar në traktat, gjithashtu në Hagë, e cila trajton rastet e krimeve të luftës kundër individëve.

Dosja fillestare prej 84 faqesh, e dorëzuar nga Afrika e Jugut tre muaj pas luftës, thotë se duke vrarë palestinezët në Gaza, duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda mendore e trupore dhe duke krijuar kushte për jetën “të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e tyre fizik”, Izraeli po kryen gjenocid.

Në seancat dëgjimore në janar, Afrika e Jugut u fokusua në dështimin e Izraelit për të siguruar gjëra elementare si ushqim, ujë, ilaçe, karburant, strehim e të tjera ndihma humanitare për Gazën gjatë luftës me grupin militant palestinez, Hamas. Gjithashtu, iu referua fushatës së vazhdueshme të bombardimeve të Izraelit, për të cilën autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se ka vrarë më shumë se 35.000 njerëz.

Më 16 maj, Afrika e Jugut bëri një apel të ri në gjykatë, duke i kërkuar të urdhëronte forcat izraelite t’i ndalnin operacionet në Rafah, në Gazën jugore e ku afërsisht gjysma e 2.3 milion banorëve të territorit kishte kërkuar strehim nga ofensiva. Nga gjykata kërkoi që të urdhërojë Izraelin të tërhiqet plotësisht nga i gjithë Rripi i Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid. Izraeli thotë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza dhe akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore, një akuzë që Hamasi e mohon.

Izraeli thotë se duhet të ketë të drejtën për të mbrojtur veten pas sulmeve të 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi në Izrael, në të cilat u vranë 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u rrëmbyen, sipas të dhënave izraelite. Gjatë paraqitjes së kundër-argumenteve më 17 maj, Izraeli deklaroi se kërkesa e Afrikës së Jugut është “tallje me Konventën e Gjenocidit” dhe i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë kërkesën.

Pas raundit të parë të seancave mbi masat urgjente në janar, gjykata theksoi se ishte e besueshme se Izraeli ka shkelur disa të drejta të garantuara për palestinezët në Gaza sipas Konventës së Gjenocidit. Gjyqtarët urdhëruan Izraelin të përmbahej nga aktet që mund të bien ndesh me Konventën e Gjenocidit dhe të sigurojë që trupat e tij të mos kryejnë veprime gjenocidi kundër palestinezëve.

Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe nuk ankimohen, por GJND-ja nuk ka asnjë mënyrë për t’i zbatuar. Një vendim kundër Izraelit mund të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe të krijojë një precedent ligjor.