Aktualitet Politikë

GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë: Berisha dhe Malltezi mbeten në “arrest shtëpiak”!

Gjykata e Posaçme la në fuqi vijimin e masave të sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në 28 qershor, paraqiti kërkesën për “informacion dy mujor në kuadër të procedimit penal nr.287, viti 2020”, në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj Sali Berishës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe ndaj Jamarbër Malltezit, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunimin, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”.