Aktualitet

GJKKO-ja lë në burg ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Henerigert Mitrin!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, la në burg ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Henerigert Mitrin, i cili u vetëdorëzua tre ditë më parë, më 11 shtator. Në seancën me dyer të mbyllura, mësohet se Mitri nuk ka pranuar të japë sqarime ndërsa akuzohet se dekonspironte operacionet anti-kanabis në qarkun e Lezhës. Madje, ka dyshime se drejtonte kultivimin e kanabisit atje e se organizonte aktivitetin e lojërave të fatit.

Në maj të këtij viti, ish-drejtori i policisë së Lezhës ishte shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Krahas kultivimit të lëndëve narkotike, akuzohet dhe për “Grup të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Shkeljet e ish-zyrtarit policor u zbuluan nga zbërthimi i aplikacioneve “Sky-ECC”. Më 20 maj të këtij viti u njoftua dhe përjashtimi i Mitrit nga radhët e uniformave blu.

Përjashtohen nga Policia e Shtetit dy prej katër efektivëve që bashkëpunonin me kriminelë, të zbuluar në operacionin e fundit të SPAK-ut. Ata janë Klodian Shahini dhe Henerigert Mitri. Në dosjen e SPAK-ut sqarohej se kur ishin drejtues në Policinë e Lezhës, ata bashkëpunonin me Edison Reçin për të realizuar hakmarrjen e tij ndaj Preng Gjinit.

Dyshohet se Klodian Shahini, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si punonjës policie ka ndihmuar Elson Reçin për t’i verifikuar targat e automjeteve të përdorura nga Preng Gjini, si dhe të gjitha hyrje-daljet e këtij të fundit nga pikat kufitare në vend.

Henerigert Mitri ka pasur komunikime të vazhdueshme me biznesmenin Pëllumb Gjoka, të cilit i ka siguruar qetësinë për të vijuar aktivitetin e tij kriminal në fushën e lojërave të fatit.

Në njoftimin zyrtar, arsyeja argumentohej me “veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë. Urdhri mbante firmën e kreut të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Në radhët e Policisë së Shtetit, nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin, si dhe bashkëpunon me grupet kriminale.