Aktualitet

GJKKO-ja konfirmon burg pa afat për Leonard Dukën!

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, GJKKO, sot komunikoi masën e sigurisë “Arrest me burg”, pa afat për Leonard Dukën. I njohur si rival i Ervis Martinajt, Duka akuzohet për veprat penale të “Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Sigurim i kushteve për vrasje” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Leonard Duka u arrestua në Belgjikë dhe u ekstradua të premten e kaluar, më 2 gusht në vendin tonë për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si pjesë e dosjes “Plumbi i artë 2”.

Mëngjesin e sotëm, Leonard Duka u paraqit në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë, të caktuar më herët ndaj tij në mungesë lidhur me akuzat për disa vrasje.

Policia e Shtetit bëri të ditur:

Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dhe 6 të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S.M. Gjithashtu, shtetasi Leonard Duka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er.Ma., Er.Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.

Emri i Leonard Dukës është pjesë 33 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK-u e të konfirmuara nga GJKKO-ja në datë 29 korrik, në kuadër të dosjes “Plumbi i artë 2”.

Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, siç njoftoi të premten Policia e Shtetit.