Aktualitet

GJKKO: Detyrim paraqitjeje për Sali Berishën/I ndalohet dalja nga vendi!

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, Sali Berishës i caktohet masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe i bllokohet pasaporta, duke iu ndaluar dalja nga vendi.

Kjo pas arrestimit në Aeroportin Ndërkombëtar  “Nënë Tereza” të Rinasit, të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.

GJKKO vendosi masën “Arrest me burg” për Malltezin, i i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme i vendosi sekuestro të gjitha pasurive të tij.

“Detyrim për paraqitje” u vendos edhe për ndërtuesin e pallateve te ish-klubi Partizani, Fatmir Bektashi.

Mbi Jamarbër Malltezin, rëndojnë akuza e korrupsionit, neni 260 bashkë me Berishën dhe neni 287 korrupsion në bashkëpunim me Fatmir Bektashin. Ndërkaq, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv neni 245 dhe neni 287 në bashkëpunim me Malltezin.

Brenda pesë ditëve, siç përcakton ligji do të bëhet verifikimi i masave të kërkuara nga SPAK-u e të vendosura nga gjykata. Ndërsa Malltezit i verifikohet brenda 72 orëve nga ekzekutimi, pasi ai është nën masën “Arrest me burg”.

E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i Malltezit dhe për të cilën është kallëzuar në SPAK është ajo e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga Taulant Balla në kohën kur ishte kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Bëhet fjalë për një pronë me sipërfaqe rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës e që në vitin 2008 u privatizua me një vlerë prej 100.000 dollarësh, pra më pak se vlera e një garsoniereje të shitur në atë zonë.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e kryeqytetit e ku sot janë ngritur 17 kulla.