Botë e Çuditshme

Gjithçka që nevojitet për një banesë e gjeni këtu, ju prezantojmë me shtëpinë më të vogël në botë!

Duke dashur të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness si ndërtuesi i shtëpisë më të vogël të lëvizshme, një YouTuber 27-vjeçar nga Virxhinia Perëndimore ndërtoi një shtëpi të vogël me të gjitha funksionet e një shtëpie tipike. Në një hapësirë kaq të vogël, shumica e gjërave mund të zhvendosen dhe palosen. Këtu do të gjeni një stol për t’u ulur dhe një krevat për të fjetur, një kuzhinë me ujë të rrjedhshëm, një lavaman dhe një pllakë gatimi, si dhe një frigorifer të vogël.

Ju keni në dispozicion një kondicioner me funksion ngrohjeje dhe ftohjeje, si dhe një tualet portativ dhe dush. Pjesa e jashtme e shtëpisë është prej cedri, ndërsa pjesa e brendshme nga disa lloje të ndryshme druri. Në këtë shtëpi depërton shumë dritë, sepse ajo ka madje katër dritare. Shtëpia është ndërtuar mbi një rimorkio makine që tashmë ishte në pronësi të tij dhe për ndërtimin e saj janë shpenzuar rreth 5.000 dollarë.

Shtëpia nuk është bërë vetëm për demonstrim, Levi Kelly do ta përdorë atë për kamping me gruan dhe dy fëmijët e tyre. Videoja e publikuar në kanalin YouTube “Levi Kelly Tours” tregon qartë se çfarë fsheh shtëpia më e vogël në botë.