Food & Drink Health & Beauty

Gjithçka që duhet të dini për etiketat e vezëve!

Sa herë bëhet fjalë për blerjen e vezëve, pyetja është gjithmonë e njëjtë: “Ku mund t’i gjejmë të freskëta?” Gjithmonë është e vështirë, për shkak se ne nuk mund ta dimë në ç’kushte rriten pulat që bëjnë vezët, sa organik është ushqimi që u jepet atyre, a janë pjesë e kullotave apo e kafazeve të mbyllura e të tjerë.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë në cilësinë e vezës që kemi çdo ditë në tryezë. Pa harruar rëndësinë e etiketave të vezëve, të cilat duhet të kenë informacionin bazë për vezët. Por si mund të jemi të sigurt se po blemë një produkt të freskët dhe të shëndetshëm? Ju njohim me shpjegimin e disa përkufizimeve që mund t’ju ndihmojnë të zgjidhni vezët përpara se t’i blini ato.

 1-Organike dhe e certifikuar

Pulat ushqehen me një dietë vegjetariane tërësisht organike, pa antibiotikë dhe pesticide.

2- Të ushqyera me dietë vegjetariane

Ashtu si te organike dhe e certifikuar, pulat ushqehen me një dietë vegjetariane. Kjo nuk do të thotë që vezët janë vegjetariane apo vegane.

3-Të pasterizuara

Vezët vendosen në temperatura të larta për të vrarë çdo bakter që mund të jetë i pranishëm. Këto vezë janë të mira për recetat që kërkojnë vezë pjesërisht të ziera.

4-Pjellore

Këto vezë vijnë nga pula që rriten së bashku me gjelat dhe nuk janë në një kafaz. Gjithashtu nuk ushqehen në mënyrë organike.

Zakonisht, vendet ku rriten pulat janë hapësira të mëdha që kanë të përfshira kullota. Kushtet e rritjes së pulave janë në nivele maksimale dhe ushqimi i tyre është organik. Qasja e pulave me natyrën siguron cilësi më të mirë për vezët. Në fermat me kullota të hapura pulat e kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke u ushqyer jashtë në natyrë.

Me përjashtim të vezëve të pasura me Omega-3, të cilat përmbajnë më shumë acide yndyrore, vlerat ushqyese që qëndrojnë pas këtyre etiketave janë përgjithësisht të njëjta. Kjo vlen edhe për vezët kafe. Ngjyra e lëvozhgës së vezës përcaktohet nga raca e pulës dhe nuk ka të bëjë me cilësinë, shijen apo vlerën ushqyese të vezëve.

Të gjitha vezët kanë përmbajtje të lartë proteinash dhe përmbajnë të nëntë aminoacidet që i nevojiten trupit. Ato përmbajnë të gjitha vitaminat (përveç vitaminës C) dhe mineralet thelbësore si: hekuri, zinku dhe kaliumi. Sasitë e larta të kolinës ndihmojnë pozitivisht në funksionimin dhe shëndetin e trurit.