Në këtë të premte sportive në Top Albania Radio në emisionin “Pasò” së bashku me Glenti Nallbanin, Edi Manushin, Gëzim Sinematin, Lorenc Jeminin dhe Redi Jupin ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai ka folur në lidhje me organizimin e finales së Conference League në Stadiumin “Air Albania” dhe gjithçka që duhet të dimë në lidhje me zhvillimin e saj në datën 25 Maj.
Në fakt ne i kemi ndarë detyrat, Federata Shqiptare e Futbollit merret me stadiumin dhe çdo gjë brenda ndërsa Bashkia e Tiranës do të merret me gjithçka jashtë. Që do të thotë duke filluar nga transporti i dedikuar nga Rinasi në Tiranë për të gjithë tifozeritë, me përgatitjen e dy ‘fun zone’-ve si ajo e Romës e cila është e përcaktuar nga organizatorët dhe kolegët e bashkisë dhe do të jetë tek diga e liqenit ndërsa ajo e tifozëve të Feynoord do të jetë tek pedonalja e Tiranës dhe ndërkohë Sheshi Skëndërbej do të jetë një zonë neutrale për turistët. Bashkia e Tiranës do të vazhdojë që të bëjë ato punë që di ti bëjë më mirë si organizimin e eventeve në shesh si dhe shumë ‘fun zone’ që janë bërë më parë. Dekorimin e qytetit dhe nuk i lëmë mangët as gjatë festave.
A ka një numër të saktë se sa njerëz presin dhe do të vijnë për shkak të kësaj ndeshje?
Ne jemi përgatitur me një diapazonë nga 40 deri në 100 mijë veta. Kjo do varet nga numri që do të rezervojnë për atë ditë. Detyrat e qytetit janë organizimi i ‘fun zone’ dhe transportit. Duhet të shpjegoj një gjë në lidhje me hotelet. Kur disa nga hotelet futen në booking praktikisht e kanë dorëzuar hotelin e tyre ndaj algoritmit të platformës. Si fluturimet me avion që mund t’i kapësh me çmime të ulëta përshëmbull me 19 euro ose kur je pasagjeri i fundit me 500 apo 1000 euro. Automatikisht ngrihet çmimi teksa shtohet oferta. A ka spekulatë? Patjetër por nuk do të doja që të bëjmë lojë ku të nxijmë veten tonë. Është koha për të treguar veten tonë më së miri.
A ka paqe me FSHF?
Bashika e Tiranës u përfshi për të pasur zgjedhje transparente për Shoqatën e Tiranës sepse aty merr pjesë. Ne i patëm ato zgjedhje dhe morëm atë vendim gjykate që na dha të drejtë. E njëjta e drejtë ishte për të gjithë Shqipërinë. U bë një garë transparente dhe fitoi me vendim gjykate dhe me votat e klubeve kandidati që e bëri në mënyrë të hapur dhe transparente garën. Këtu mbaron edhe pjesa që i intereson Bashkisë së Tiranës. Po a meriton kjo betejë që të vazhdohet më tej? Unë besoj që po dhe nuk do të hezitoj. Kur vjen puna për të mirën e vendit të gjithë duhet të jemi bashkë. Është një ngjarje që ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë me botën.
A do të vijnë Kryetarët e Bashkive në Tiranë?
Kemi një konfirmim që edhe Kryetari i Bashkisë së Romës. Ai sapo është zgjedhur kryetar. Ne do të kemi edhe një nga organizimet së bashku me UEFA-n që ka të bëjë me mbrëmjen gala e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe autoritet që do të vijnë në Tiranë për ndeshjen.