“Çdo gjë është ashtu si duket” ju ka shoqëruar çdo të enjte nga ora 18:00 deri në orën 20:00 me Anna Shkrelin dhe të ftuar specialistë të fushave të ndryshme.
Pikëvështrimi ynë mbi botën i jep formë mënyrës sesi e përshkruajmë atë. Edhe përmes lentes së shkencës, leximi që i bëjmë realitetit vijon të mbështetet mbi këndvështrimin njerëzor. Këtu lind dhe konceptimi i realitetit tonë, jo si një i vetëm e unik, por si spektër dhe forcë në shndërrim të përhershëm, përmes triliona vitesh jetëgjatësie të Universit. Por ç’mund të ndodhë në një botë kur perceptimet tona plazmohen identike, nën patronazh, më shumë se kurrë më parë? Ç’do të ndodhte në rast se komunikimi masiv, përmes algoritmesh të përmirësuara, veçsa do të radikalizonte gjithë ato mendje dhe qëndrime të cilat më parë ndërvepronin në hapësira kufitare të përbashkëta. Po sikur bota jonë, dita ditës, të jetë duke u shndërruar nga një realitet ngjarjesh dhe ndodhish në një realitet objektesh?
Atëhere, cdo gjë do të ishte fiks ashtu si duket. Pa mister. Pa nëntekst. Pa mundësinë e një deux ex machina. Në një leksion mbi Unin dhe Pushtetin, të vitit 1982, mendimtari francez Michel Foucault shprehej se: “Nuk e shoh të nevojshme të di saktësisht se kush jam. Interesi kryesor duhet të jetë të bëhesh tjetërkush nga ç’ke qenë në fillim”. Gjërat ndryshojnë vetëm kur hyjnë në marrëdhënie me njëra-tjetrën, ndaj ky është një podcast shndërrimi.
Me dëshirën për të dekonstruktuar hapësira të kufizuara dhe për t’i shpëtuar gjuhës së drunjtë, pas së cilës shpesh fshihet vetëm mungesë mendimi, takohemi për 12 epizode radhazi; pimë një gotë bashkë (qerasim ne), flasim për kulturën që na nxit të reagojmë, për gjithë ato gjëra që na troshisin dhe eksplorojmë me hap të kujdesshëm pikat ku na dhemb. Me të ftuar të ndryshëm, të cilët kanë si kusht parak lënien pas të klisheve, hyjmë në një bashkëbisedim të sinqertë dhe fuqizues, për të gjithë ne.
Një nga të ftuarit e këtij podcasti ishte Killua, i cili ‘hapi zemrën’ dhe rrëfeu në TAR bullizimin në adoleshencë që u bë burim frymëzimi për artin e tij! Killua, një artist që ndryshe nga shumë të tjerë në vendin tonë përcjell mesazhe shumë të fuqishme me anë të teksteve të tij.
Dëshira ime është të ngrej disa pyetje dhe njerëzit t’i japin përgjigje brenda vetes së tyre. Për disa që e dëgjojnë është thjesht një këngë, për disa të tjerë është diçka pak më shumë. Unë do doja që të ishte për të gjithë pak më shumë, t’i bënte të mendonin më shumë.
Në episodin e dytë të këtij podcasti, për të folur për një temë interesante dhe që shumë mund t’i përfshijë padiskutim, pikërisht për jetën e natës, e ftuar ishte Ardita Luca. Njohëse mjaft e mirë e jetës së natës, Ardita na mësoi dhe na njohu më tepër me gjithçka rreth saj. Ajo na tregoi të mirat dhe të këqijat e saj, na njohu me rreziqet, por padiskutim edhe me përfitimet, argëtimin dhe se si shijohet vërtet jeta e natës.
Në një tjetër episod, i ftuar ishte Sokol Çunga, arkivist, paleolog, aktivist, paleograf dhe përkthyes. Sokoli zbulon se në Tiranë me shumë gjasa ka një fantazëm ekzistuese. Ajo gjendet pikërisht në një institucion publik në Tiranë, në oborrin e arkivit. Me anë të një historie që na tregoi, ai hodhi dyshimet e ekzistencës së një fantazme në Tiranë.
Në një tjetër episod, lidhur me gjuhësinë kriminalistike e ftuar ka qenë Ledi Shamku, gjuhëtare, pedagoge, kërkuese shkencore në departamentin e historisë së gjuhës, gramatikës dhe kulturës së gjuhës në Akademinë e Studimeve Albanologjike.
Gjuha jonë thotë shumë pak për ne. Gjuha jonë thotë jemi shqiptar, italian, anglez, ajo që thotë shumë për ne është ligjërimi.
Ardian Vehbiu dhe Elona Pira dy administratorët e revistës kritike online “Peizazhe të fjalës”, e cila në korrik ka 15-vjetorin e saj, kanë qenë gjithashtu të ftuar në “Çdo gjë është ashtu si duket”. Pikërisht lidhur me këtë përvjetor u shprehën administratorët e kësaj reviste.
Revista nisi si blog dhe tani ka një përmasë tjetër, është pjesë e të përditshmes sonë. Tashmë kemi më tepër eksperiencë, miq, bashkëpunëtorë dhe lexues.
Një tjetër rubrikë shumë e rëndësishme e këtij podcasti, ka qenë edhe ajo e librit, ku Anna ka sjellë, trajtuar dhe analizuar libra të ndryshëm që kanë përcjellë mesazhe kuptimplotë. Disa prej tyre kanë qenë: “Inxhinieria e brendshme” nga Sadhguru, “Identitete pluskuese” i arkitektes Arba Baxhaku, “Qytetet e padukshme” i Italo Calvinos, e shumë të tjera. Ky podcast shndërrimi sot ka episodin e fundit. Mos harroni të na ndiqni live në Top Albania Radio nga ora 18:00 deri në orën 20:00.