Bota

Gjinia nuk ishte faktor qendror në presidencialet amerikane!

Donald Trump zhvilloi një fushatë që në fokus pati maskilizmin e theksuar, duke u përpjekur aktivisht të bënte për vete veçanërisht të rinjtë meshkuj, me intervista në podcast-e të njohura për audiencën mashkullore. Në javët përmbyllëse të fushatës, ish-presidenti dhe shumë aleatë bënë komente e shaka seksiste për demokraten Kamala Harris dhe u paralajmëruan se rrezikonin të thellonin hendekun gjinor por në fund, nuk rezultoi i theksuar. Gjinia nuk ishte faktor qendror në zgjedhjet presidenciale të fituara nga Donald Trump.

Ja disa të dhëna nga AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120,000 votues në mbarë vendin:

Hendeku gjinor ishte i madh, por jo i pazakontë

Sipas sondazhit, burrat ishin më të prirur se gratë që të mbështesnin presidentin e zgjedhur Trump. Në preferencat e votimit, kryesisht ky hendek ka mbetur i njëjtë edhe pse zgjedhja për kandidatin midis burrave dhe grave ka ndryshuar në mënyrë modeste. Harris ishte në avantazh mes grave, duke fituar 53% të votës së tyre krahasuar me 46% të Trump-it por kjo diferencë ishte disi më e ngushtë se ajo e presidentit Joe Biden në vitin 2020, sipas sondazhit. Në vitin 2020, VoteCast tregoi se Biden fitoi 55% të votave të grave. 43% votuan për Trump-in. Kjo nuk është diçka e re: shumica e grave kanë preferuar kandidatin demokrat në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1996 sipas Qendrës për Gratë Amerikane në Politikë të Universitetit Rutgers.

Trump zgjeroi mbështetjen edhe mes burrave

Trump përfitoi nga epërsitë e lehta që siguroi si mes burrave edhe grave. Harris pati më pak mbështetje mes tyre se Biden në vitin 2020. 54% e burrave e mbështetën Trump-in në vitin 2024 krahasuar me 51% më 2020-ën. Ndryshimet në bazë  gjinie u vërejtën te votuesit më të rinj, si dhe te votuesit afro-amerikanë e hispanikë. Votuesit e bardhë nga të dyja gjinitë dhe ata të moshuar nga të dyja gjinitë votuan në mënyrë të ngjashme në vitin 2024 me 2020-ën.

Gratë nën 30 vjeçe votuan më shumë për Harris-in se për Trump-in megjithatë ky numër ishte më i vogël krahasuar me ato që votuan për Biden-in në vitin 2020, respektivisht 58% e 65%. Pati disa shenja se përpjekjet e fushatës së Trump-it për bërë për vete të rinjtë funksionuan: më shumë se gjysma e burrave nën 30 vjeç mbështetën Trump-in se Harris-in por në vitin 2020 ishte e kundërta.

Po ashtu, Trump-i dyfishoi mbështetjen mes të rinjve me ngjyrë, duke shënuar përparim në këtë grup kyç demokrat. Rreth 3 ndër 10 burra me ngjyrë nën 45 vjeç votuan për Trump-in, afërsisht dyfishi i numrit që ai mori në vitin 2020. Nga ana tjetër, burrat hispanikë ishin më pak të hapur ndaj kandidates demokrate se në vitin 2020. Përafërsisht gjysma e burrave hispanikë votuan për Harris-in, nga rreth 6 ndër 10 që votuan për Biden-in.

Shqetësimet ekonomike të njëjta për burrat dhe gratë

Ishin zgjedhjet e para presidenciale që kur Gjykata e Lartë rrëzoi garancinë për të drejtën kombëtare për abort (Roe vs Wade) dhe ishte shansi i dytë në histori për amerikanët që të zgjidhnin presidenten e parë femër. Ashtu si edhe shqetësimet rreth retorikës seksiste nga kampi Trump, këto tema ishin të rëndësishme për shumë gra. Por shqetësimet në lidhje me emigracionin dhe inflacionin rezultuan më të rëndësishme për shumë votues, pavarësisht nga gjinia e tyre.

Kelly Dittmar, drejtore e Kërkimeve në Qendrën për Gratë Amerikane dhe Politikat në Universitetin Rutgers, tha se rezultatet treguan se “shumica e votuesve ishin të gatshëm të shpërfillnin seksizmin dhe racizmin”.

1 ndër 10 gra tha se zgjedhja e një gruaje presidente ishte faktori kryesor në votën e dhënë dhe 4 ndër 10 gra thanë se kjo nuk ishte aspak një arsye motivuese. Gratë afro-amerikane ishin më të nxiturat nga perspektiva e presidentes së parë grua. Rreth një e treta prej tyre thanë se ky ishte faktori kryesor në zgjedhjen e tyre. Rreth 9 ndër 10 gra afrikano-amerikane dhe 6 ndër 10 gra hispanike mbështetën Harris-in. Pak më pak se gjysma e grave të bardha mbështetën zv.presidenten.