Gjiganti bankar amerikan JP Morgan Chase thuhet se i ka dhënë fund marrëdhënies me reperin Kanye West dhe markën e tij Yeezy. Përmes një letre të postuar në Twitter banka informonte reperin për vendimin. Në letër thuhet se banka i ka dhënë afat deri më 21 nëntor për të transferuar biznesin e tij. Lëvizja e JP Morgan vjen pasi partneritetet e biznesit të West janë vënë nën një kontroll të shtuar.
Javën e kaluar, firma e veshjeve sportive Adidas tha se ishte duke rishikuar marrëveshjen e saj me të, disa ditë pasi ai tregoi një model bluze “White Lives Matter” në Javën e Modës në Paris. Kompania nuk e përmendi polemikën, por tha se partneritetet e suksesshme janë të rrënjosura në respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta. Rikujtojmë se së fundmi llogaritë e reperit në Twitter dhe Instagram u pezulluan pasi ai postoi mesazhe antisemite.
Kanye po vazhdon të shkaktojë zhurmë në rrjetet sociale dhe së fundmi ka postuar në Instagram emrin e shkollës ku aktualisht janë regjistruar fëmijët e tyre. Menjëherë Kim Kardashian nuk ka rrezikuar dhe ka rritur numrin e personelit të sigurisë të vendosur në shkollën e fëmijëve të saj.
Kardashian po paguan për sigurinë shtesë, pasi është e shqetësuar se tani çdokush mund të shfaqet dhe të dëmtojë fëmijët e saj. West ka treguar se në cilën shkollë shkojnë katër fëmijët e tij. West zbuloi emrin e shkollës sepse ai dëshiron që North, Saint, Chicago dhe Psalm West të ndjekin shkollën e tij të sapohapur, “Donda Academy”. Sa i përket jetës private, West së fundmi është parë me modelen braziliane Juliana Nalu në Los Angeles.