Bota

Gjigantët luksozë të modës mbyllin të gjitha dyqanet e tyre në Rusi!

Gjigantët francezë luksozë të modës u janë bashkuar firmave të tjera duke njoftuar se do të pezullojnë shitjet në Rusi në mes të luftës në Ukrainë. LVMH, Hermes, Kering dhe Chanel kanë vendosur të mbyllin përkohësisht dyqanet e tyre në Rusi. Prodhuesi i çantave të shtrenjta Birkin Hermes dhe Cartier Richemont ishin ndër firmat e para që njoftuan se do të ndalonin biznesin në Rusi.

LVMH, e cila zotëron marka të tilla si Christian Dior, Givenchy dhe Bulgari ndër të tjera, do të mbyllë 124 butikët e saj në vend nga e nesërmja. Chanel, tha në një postim në LinkedIn se:

Duke pasur parasysh shqetësimet tona të mëdha për situatën aktuale, pasigurinë në rritje dhe kompleksitetin e funksionimit, Chanel vendosi të ndalojë përkohësisht biznesin e saj në Rusi.

Kering, e cila është shtëpia e Gucci dhe Saint Laurent, ka dy dyqane në Rusi, së bashku me 180 punonjës në vend. Firma franceze tha se vendimi i saj ishte për shkak të shqetësimeve në rritje në lidhje me situatën aktuale në Evropë. Sipas BBC, shtëpia e modës Prada nuk iu përgjigj kërkesave për komente nga media nëse do të ndalonte shitjen e produkteve të saj në Rusi.

Giorgio Armani nuk ka thënë nëse planifikon të ndalojë shitjet në Rusi, por stilisti vendosi të mos ketë asnjë muzikë në shfaqjen e fundit të modës në Paris. Modelet dolën në pasarelë në një qetësi të frikshme, të ndërprera nga duartrokitjet e publikut, të veshura me xhaketa të shkurtra në nuanca pastel dhe fustane të zeza dhe argjendi me shkëlqim, me tegela.

Firma të tjera të panumërta kanë njoftuar tashmë planet për t’u tërhequr nga Rusia. Rikujtojmë se së fundmi, sopranoja e famshme ruse, Anna Netrebko, ka deklaruar se nuk do të performojë më në “Metropolitan Opera” në New York këtë sezon apo sezonin e ardhshëm, pasi ajo refuzoi të distancohej publikisht nga presidenti rus Vladimir Putin.