Aktualitet

Gjermania zgjodhi sot kreun e ri të shtetit, Basha uron Frank-Walter Steinmeier!

Gjermania zgjodhi sot kreun e ri të shtetit. Presidenti aktual, Frank-Walter Steinmeier u rizgjodh në këtë post për një mandat të dytë. Në detyrën më të lartë shtetërore ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017.

Asambleja Federale rizgjodhi sot në Berlin Frank-Walter Steinmeier si President Federal të Gjermanisë. Ky është mandati i dytë për Steinmeierin. Atë e propozuan për mandatin e ri partitë qeveritare SPD, të Gjelbrit dhe FDP, si dhe opozita CDU/CSU. Së bashku, ato kishin një shumicë të madhe në Asamblenë Federale.

Frank Walter Steinmeier u zgjodh në këtë post me 1045 vota. Nga 1437 vota të dhëna, 1425 qenë të vlefshme, 12 të pavlefshme, 86 abstenime.

Steinmeieri e pranoi zgjedhjen dhe falenderoi. Ai shprehu respektin për bashkëkandiduesit për postin e Presidentit Federal. Ai tha se do të jetë President mbipartiak, por jo neutral, kur është fjala për demokracinë. Ai që angazhohet për demokracinë, më ka në anën e tij, ai që është kundër saj, më ka kundër, tha ai.

Steinmeieri tha se mund të diskutohet shumë për shkaqet e ftohjes midis Rusisë dhe Perëndimit. Por, shtoi ai, “ne jemi në mes të një rreziku të një lufte dhe për këtë Rusia mban përgjegjësi”. Presidenti gjerman tha se marshimi i trupave ruse është një kërcënim për Ukrainën. Asnjë vend i botës nuk ka të drejtë të shkatërrojë të drejtën e një vendi për të jetuar në paqe.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar Frank-Walter Steinmeier për rizgjedhjen si President të Gjermanisë. Me një postim në Twitter Basha shkruan se i uron një mandat të dytë të suksesshëm një miku të çmuar dhe mbështetës të fortë të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE

“Urimet e mia më të ngrohta për Frank-Walter #Steinmeier për rizgjedhjen e tij si President i Gjermanisë. I uroj një mandat të dytë të suksesshëm një miku të çmuar dhe mbështetës të fortë të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE”- shkruan ai.