Aktualitet

Gjermania thirrje BE-së të miratojë kornizën negociuese për Tiranën dhe Shkupin

Gjermania që po kryeson Bashkimin Europian e cilëson “gabim serioz politik” dështimin në miratimin e kornizës negociuese për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me disa kushte me Shqipërinë, si dhe me Maqedoninë e Veriut.

Qëndrimin e shprehu Ministri për Europën, Michael Roth para diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të Unionit. Roth theksoi se “Si Presidencë, Gjermania po bën gjithçka që të mundësohet konferenca e parë e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut e gjithashtu me Shqipërinë, në varësi nga përmbushja e disa kushteve të mbetura. Çdo gjë tjetër do të ishte gabim serioz politik në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor e po ashtu do të dëmtonte shumë sigurinë e Europës në tërësi”, – paralajmëroi ministri gjerman.

Vendimi për të miratuar kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut është bllokuar nga Bullgaria. Sofja kërkon që disa çështje pezull me Shkupin e që lidhen me identitetin dhe gjuhën, të jenë pjesë e kornizës negociuese. Më herët, diplomatë europianë paralajmëruan se nëse nuk kalon vendimi për Maqedoninë e Veriut, disa shtete anëtare të BE-së do të kundërshtojnë çdo shqyrtim vendimi për Shqipërinë.

Si vendi ynë ashtu dhe ai fqinj kanë statusin e kandidatit dhe është marrë vendimi që të nisin procesin e negociatave të anëtarësimit. Por që të ndodhë, Unioni duhet të miratojë kornizën negociuese, ç’ka kërkon dakortësinë e të gjithë anëtarëve.