Rajoni

Gjermania rithekson se normalizimi Kosovë-Serbi nënkupton njohje reciproke!

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe, shkroi Rohde në rrjetin social X. Kjo vlen ende. Rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit të menjëhershëm të marrëveshjeve të arritura më 2023-shin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Deklarata e tij erdhi pak pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian (BE). Më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano u shpreh për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Bashkimi Evropian nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

Një zyrtar i Unionit, rikujtoi edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht normalizimi i raporteve me Kosovën. Ai tha se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bllokut.