Rajoni

Gjermania po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave shtesë në Kosovë!

Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun me shumicë serbe. Kjo u deklarua sot nga ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius. Duke folur për gazetarët pas takimit me homologët nga Austria dhe Zvicra, zyrtari i qeverisë së Berlinit u shpreh:

Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia Tanner, ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual parlamentar, që t’i lehtësohet barra Austrisë.

Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç atyre 4 mijë që tashmë janë të dislokuara në terren. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it, Gjermania po kontribuon me 70 ushtarë.

Që nga fundi i majit, serbët në komunat Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Po ashtu, ata janë duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa e veriut.

Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba e granata dore, ndërsa më 29 maj, protestues serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it. Nga këto përplasje u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Për të ulur tensionet, Bashkimi Europian i ka paraqitur tre kërkesa Kosovës dhe Serbisë. Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja po zbaton disa masa ndëshkuese prej fundit të muajit të kaluar.

Një ditë më parë, ambasada gjermane në Prishtinë konfirmoi se përkohësisht ndërpreu bashkëpunimin me Kosovën në fusha të caktuara, për mospërmbushje të kërkesave të Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës në veri.

Nga ana tjetër, për Bashkimin Europian, vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, është “hap i njëanshëm, që nuk i kontribuon uljes së tensioneve”.