Bota

Gjermania nuk do t’i japë leje Ukrainës për armët me rreze të gjatë!

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz përsëriti se vendi i tij nuk do t’i heqë kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve gjermane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, pavarësisht lutjeve të Kievit. Në Nju Jork ku merr pjesë në punimet e javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Scholz u shpreh:

Qeveria ka marrë disa vendime në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, të cilat janë shumë të qarta për mua.

Scholz theksoi se në mesin e atyre vendimeve janë edhe kufizimet që i ndalojnë Ukrainës të hedhë raketa gjermane në thellësi, brenda territorit të Rusisë.

Kjo nuk është në përputhje me qëndrimin tim personal… Ne nuk do ta bëjmë këtë dhe kemi arsye të mira.

Siç dihet, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu është lutur vazhdimisht partnerëve perëndimorë ta lejojnë Ukrainën që të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi, për të goditur shënjestrat thellë, brenda tokës ruse, përfshirë fushat ajrore dhe depot e naftës të përdorura nga ushtria e Moskës.

Arma me rreze më të gjatë veprimi e që deri tani, Gjermania i ka dhuruar Kievit është raketahedhësi MARS II, i cili mund ta godasë shënjestrën në 84 kilometra largësi. Por, Berlini zyrtar i ka dhënë leje Kievit që këtë raketahedhës të mund ta përdorë vetëm në hapësirë të kufizuar brenda tokës ruse, në afërsi të qytetit kufitar ukrainas, Harkiv.

Kancelari Scholz nuk ka pranuar që ta furnizojë Kievin me armë preçize me rreze të gjatë veprimi, pavarësisht vendimeve të aleatëve të Gjermanisë në NATO. Gjermania nuk dëshiron që t’i japë Ukrainës raketa lundruese Taurus, të cilat mund të godasin rreth 500 kilometra larg, duke argumentuar se “kjo do ta rriste dukshëm rrezikun për përshkallëzimin e luftës”.

SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca e kanë furnizuar Ukrainën me raketa lundruese, që mund ta godasin shënjestrën deri në 300 kilometra distancë. Ato janë duke shqyrtuar vendimin nëse do ta lejojnë apo jo Kievin t’i përdorë këto raketa për sulme ndaj shënjestrave më në thellësi brenda Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.