Bota

Gjermania me mungesa të punonjësve shëndetësorë e të ndërtimit!

Sektori i kujdesit shëndetësor në Gjermani është më i prekuri nga mungesa aktuale akute e personelit të kualifikuar, siç thuhet në një studim të ri. Mësohet se rreth 47 mijë e 400 vende të lira pune nuk kanë mundur të plotësoheshin me aplikantë të kualifikuar në vitet 2023-2024, sipas këtij studimi të fundit të kryer nga Qendra për Konkurrencë për Punësimin e Punëtorëve të Kualifikuar e Institutit gjerman për Ekonominë.

Mungesa më e madhe është për fizioterapistë, me gati 1 mijë e 600 vende të lira pune. Mungesa e asistentëve dentarë është diku te 7 mijë e 350 dhe 7 mijë e 100 vende të lira pune janë për personelin e kujdesit shëndetësor e për infermierë po ashtu.

Popullsia që po plaket, po çon në rritjen e kërkesës për shërbime të kujdesit shëndetësor. Kjo rritje është një barrë për punëtorët aktualë të kualifikuar, siç edhe vunë në dukje autorët e studimit.

Edhe në vitet e kaluara, kujtojmë se sektori i shëndetësisë në Gjermani ishte i pari sa i përket mungesës së personelit shëndetësor të kualifikuar. Ndërkaq, sa i përket të gjitha industrive, nga korriku i vitit të kaluar e deri në qershor të vitit 2024, mesatarisht kishte një mungesë të mbi 530 mijë punonjësve me kualifikimin e duhur.

Sektori i dytë që renditet me mungesën më të madhe të punëtorëve është ai i ndërtimit, me rreth 42 mijë vende të reja pune. Ndërkaq, edhe 10 mijë e 350 vende të lira pune, ishin sa i përket instalimeve elektrike po sipas shifrave të servirura nga studimi më i fundit e që ngre shqetësime për shtetin gjerman.