Bota

Gjermania do të shqyrtojë përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi se Gjermania do të marrë masa të mëtejshme për të frenuar emigracionin e parregullt dhe do të shqyrtojë opsionet e mundshme për përpunimin e kërkesave për azil jashtë Bashkimit Europian (BE).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin pas takimit me kryeministrat e shteteve federale të Gjermanisë, Scholz vuri në dukje se do të shqyrtojnë raportet e ekspertëve në muajt e ardhshëm për të përcaktuar nëse është e mundur të përfundohen marrëveshjet e azilit me vendet e treta.

Ne kemi diskutuar raportet e vlerësimit paraprak. Tani do të vazhdojmë me kujdes. Mendoj se duhet të shmangim spekulimet në këtë fazë se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur. Mendoj se është shumë herët për këtë, iu tha gazetarëve, duke shtuar se diskutimet në vende të tjera kanë treguar se ky nuk do të jetë një proces i lehtë.

Scholz u shpreh se marrëveshja Itali-Shqipëri nuk mund të jetë një model për Berlinin, pasi situata e Italisë ishte krejtësisht e ndryshme nga Gjermania dhe shumica e emigrantëve të parregullt vijnë në Itali nga deti. Ai deklaroi se marrëveshja Britani-Ruandë nuk është gjithashtu një model i përshtatshëm, pasi Gjermania duhet të përmbushë kërkesat e ligjit të BE-së gjatë përpunimit të kërkesave për azil.

Në takim nuk pritej të thuhej si do ta bëjmë më në fund, por më tepër ishte për shqyrtimin me kujdes të opsioneve, për të peshuar së bashku çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është dhe ne kemi rënë dakord që të takohemi përsëri në muajin dhjetor.

Në pjesën e dytë të vitit është Hungaria që merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, nga 1 korriku e deri më 31 dhjetor 2024 dhe kryeministri i vendit ka plane. Mediave gjermane, Viktor Orban iu tha se çështjen e emigracionit, ai dëshiron që ta kthejë në temë kyçe kur Budapesti zyrtar të jetë në krye të BE-së, në kryesimin gjashtëmujor sipas rotacionit.

Për grupin medial Funke, shefi i qeverisë hungareze vuri në dukje se mirëpret pozicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili aktualisht është duke analizuar mënyra se si mund të kryhen procedurat e azilit prej vendeve jashtë bllokut europian. Aktualisht, presidencën e Unionit e ka Belgjika e do ta mbajë edhe një javë para se t’ia dorëzojë Hungarisë në fillim të muajit të ardhshëm.