Bota

Gjermania: Aleatët europianë të NATO-s do të rrisin shpenzimet e mbrojtjes!

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, bëri të ditur se aleatët europianë të NATO-s do të rrisin shpenzimet ushtarake për një ndarje të drejtë të barrës në të dy anët e Atlantikut. Duke folur me gazetarët gjatë një takimi ministror në selinë e NATO-s, Pistorius tha se do të fokusohen në përgatitjet për samitin e Aleancës, muajin e ardhshëm në Uashington.

Qëllimi ynë i përbashkët mbetet të sigurojmë që NATO-ja të jetë në gjendje të mbrojë çdo centimetër katror të territorit të saj, sa herë që kjo të jetë e nevojshme. Duhet të kemi një frenim të fortë dhe për këtë, të gjithë anëtarët e Aleancës të japin kontributin e tyre.

Ministri ripohoi se Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës do të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake këtë vit, për të përmbushur objektivin e NATO-s, për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit për mbrojtjen.

Për Gjermaninë mund të them se ne po i bëjmë detyrat e shtëpisë, të gjithë e dini se po arrijmë objektivin prej 2% këtë vit, për herë të parë në më shumë se dy dekada. Shumica e aleatëve të tjerë europianë të NATO-s, rreth 20 prej tyre, synojnë gjithashtu të arrijnë objektivin prej 2%.

Ai theksoi se ky është një mesazh i rëndësishëm për të gjithë partnerët e NATO-s, por “sigurisht veçanërisht për aleatin amerikan”.

Europa po jep, Europa po bën pjesën e saj dhe kjo si pjesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët.

Komentet e zyrtarit të qeverisë së Berlinit vijnë në kohën kur kryeqendrat europiane po ndjekin me ankth zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me Donald Trump-in përballë demokratit Joe Biden, i druhen një mandati të dytë për ish-presidentin dhe kjo se mund të ndikojë negativisht në aleancën e NATO-s.

Në mënyrë të përsëritur, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka kritikuar aleatët europianë të SHBA-ve se sipas tij, “nuk kanë ndarë barrën financiare të NATO-s, duke e zhvendosur atë mbi taksapaguesit amerikanë”. Trump ka kërcënuar se do të tërhiqen trupat amerikane nga Europa.