Sport

Gjermani-Skoci hap “Euro 2024″/Shqipëria përgatitet për nesër!

Sot nis Europiani i Futbollit, ngjarja e shumë pritur sportive, me 51 ndeshje  gjatë gjithë turneut që do luhen në dhjetë stadiume në Gjermani. Më së shumti, në fushën e Stadiumit Olimpik në Berlin, në Arenën e Mynihut e në Stadiumin e Dortmundit. Në Berlin do të zhvillohen finalja, një çerekfinale e katër takime të tjera. “Euro 2024” starton në Mynih, me përballjen Gjermani-Skoci.

Pjesëmarrëse në “Euro 2024”, nesër në orën 21:00, Shqipëria do të sfidojë Italinë, në ndeshjen e parë të vlefshme për Europianin. Në stadium pritet të jenë mbi 50 mijë tifozë shqiptarë, kontigjenti më i madh udhëtues i çdo skuadre tjetër përveç vendit pritës. Kombëtarja vazhdon e grumbulluar në Sportcenter Kaiserau të Kamenit, duke zhvilluar seanca stërvitore. Skuadra dhe stafi teknik janë fokusuar te pjesa taktike e me ngarkesa fizike të reduktuara, teksa gjendja e grupit është në parametra optimale dhe nuk ka probleme fizike.

Kampionati Europian që do të shoqërojë tifozët dhe entuziastët nga 14 qershori deri më 14 korrik do të jetë eventi futbollistik i verës 2024. Italia, kampionia në fuqi, pasi fitoi titullin në vitin 2021 në finalen e Uemblit do të përpiqet të konfirmohet në Gjermani e nesër në mbrëmje ka përballjen me Shqipërinë.

Ceremonia e hapjes është planifikuar me një homazh për nder të Franc Bekenbauerit, kampionit gjerman, i ndarë nga jeta më 7 janar. Haidi Bekenbauer, e veja e legjendës së kombëtares gjermane dhe Bajernit të Mynihut do të çojë trofeun e Kampionatit Europian në fushë, në mungesë të bashkëshortit, siç zbuloi “Bild”. I gjithë ky moment prekës do të shoqërohet me video festive, me momentet më të bukura të karrierës së “Kaizerit”.

Formati i Kampionatit Europian 2024 është identik me të vitit 2020. Skuadrat do të ndahen në gjashtë grupe (nga katër kombëtare). Dy skuadrat e para nga grupet dhe katër skuadrat më të mira në vendin e tretë kualifikohen në raundin e 16-të. Ndeshjet që do të luhen në dhjetë stadiume në Gjermani, fillojnë në oraret 15:00, 18:00 e 21:00.