Sot i ftuar në “Live From Tirana” ka qenë gazetari dhe moderatori i njohur Marin Mema, i cili ka folur në lidhje me pjesën se si ka kaluar ky vit përpos vështirësive të mëdha me të cilat ne të gjithëve na është dashur që të përballemi. Gjithashtu është diskutuar edhe në lidhje me problematikat që has vendi ynë çdo ditë.
Si ishte ky vit për ty Marin?
Një vit i mirë, me shumë punë, me shumë përpjekje, me shumë dëshira për të bërë punë të mira. Sigurisht, shpresoj që viti i ri të jetë edhe më i mirë, jo vetëm për Marinin por edhe për të gjithë shqipëtarët. Të lëmë pas vështirësitë që ka shkaktuar në këto dy vjet pandemia dhe të gjitha problemet e tjera që ka patur Shqipëria. E shpresojmë të gjithë këtë në fakt.
Po në lidhje me kohën e tanishme, sa gjurmë do të lënë në historinë e Shqipërisë këto vite?
Më vjen keq që për pasuritë, kulturën dhe trashëgiminë tonë, ne jemi të parët që e lëmë pas dore. Ne jo thjesht që nuk dimë ta shfrytëzojmë për të promovuar identitetin kombëtar të shqiptarëve por nuk dimë as ta shfrytëzojmë në kontekstin ekonomik. Ne flasim për turizëm por nuk dimë t’i shfrytëzojmë këto pasuri. Askush nuk do të vijë në Shqipëri për të parë pallatet dhe kullat e betonit, por do të vijnë për të parë kulturën, trashëgiminë dhe traditën. Ne kemi një formulë shumë të ftohtë që nuk dimë çfarë të marrim. Një dështim i madh.
Gazetari ka vijuar duke thënë edhe se:
Problemi është që duhet të dëgjohemi ne vetë. Duhet të kuptojmë që njeriu jeton vetëm njëherë. Duhet të jemi të gatshëm për të reaguar dhe për të përmirësuar të ardhmen tonë. Nëse nuk regojmë është pak por e sigurtë se as politika nuk do të reagojë. Gjërat do të mbeten në vend numëro gjithmonë. Jemi një vend shumë i pasur dhe i shfrytëzojmë keq për një dorë shumë të vogël njerëzish. Kjo është arsyeja se pse të rinjtë largohen dhe të vazhdojnë të largohen.