Aktualitet

Gjeneralmajor Kingji: Testim kapaciteteve dislokuese të forcës strategjike rezervë të NATO-s!

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji deklaroi se zhvillimi i kapaciteteve portuale të vendit tonë do të adresohet nëpërmjet investimit në portin e ri të Porto Romanos. Në fjalën e tij në DVDay (Distinguished Visitors Day) të stërvitjes së përbashkët mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere Wolf – 24”, Kingji theksoi:

Përkeqësimi i mjedisit të sigurisë si rezultat i luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, nxiti Aleancën të rivlerësojë strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes e të vërë në funksion planet rajonale, që të harmonizuara me planet kombëtare të vendeve aleate përbëjnë mbrojtjen më gjithëpërfshirëse të Aleancës në dekada.

Element i rëndësishëm në suksesin e këtyre planeve rajonale është mbështetja, lëvizja e shpejtë dhe e sigurt e forcave e mjeteve, nga perëndimi në drejtim të kufirit lindor të Aleancës.

Në këtë drejtim, përveç kapaciteteve të këtij korridori, “Austere Wolf – 24″ do të shërbejë si një mundësi e mirë për të vlerësuar e përmirësuar procedurat dhe kapacitetet e vendit pritës të Shqipërisë, në kuptimin e infrastrukturës, mbështetjes dhe magazinimit.

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e lidhur ngushtë me atë të zonës euroatlantike, ndaj kjo stërvitje e përbashkët merr një rëndësi akoma më të madhe pasi do të testojë edhe kapacitetet dislokuese të forcës strategjike rezervë të NATO-s.

Kingji nënvizoi se “përveç rishikimit të Planit Kombëtar të Mbrojtjes, Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për një rol më aktiv për mbështetjen e planit rajonal për Europën Juglindore”. Gjithashtu, vuri theksin te investimi në portin e ri të Porto Romanos.

Duke marrë në konsideratë kapacitetet dhe fluksin e lëvizjes që ofron Korridori VIII, evidentohet domosdoshmëria për zhvillimin e kapaciteteve portuale, të cilat do të adresohen nëpërmjet investimit në portin e ri të Porto Romanos. Ky port do të ofrojë kapacitete debarkimi dhe strehimi për njësitë deri në nivel brigade e shërbime mirëmbajtjeje, furnizimi dhe magazinimi.

Arben Kingji shtoi edhe se “mundësitë e ofruara nga ky port, përforcohen nga baza ajrore e Kuçovës, e cila do të shërbejë si qendër për dislokimin, trajnimin, si dhe aktivitetet e forcave tona ajrore. Po ashtu do të mbështesë operacionet dhe stërvitjet e NATO-s”.