Bota

Gjenerali Lloyd Austin, shefi i ri i Pentagonit

Mediat amerikane paralajmërojnë se presidenti i zgjedhur, Joe Biden do të propozojë gjeneralin në pension, Lloyd Austin si Sekretar të Mbrojtjes. Nëse konfirmohet, veterani i luftërave në Irak e Afganistan do të jetë afro-amerikani i parë në krye të Pentagonit.

67-vjeçari i diplomuar në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point ka shërbyer 41 -vite në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara para se të dilte në pension në 2016-n. Emërimi i oficerit të karrierës do të kërkojë konfirmim nga Senati.

Joe Biden e zgjodhi gjeneralin me katër yje mes disa kandidatëve të tjerë, ndër të cilët ishte edhe Michele Flournoy, ish-zyrtare e lartë në Pentagon dhe përkrahëse e presidentit të zgjedhur. Zoti Biden kishte peshuar ndër të tjerë edhe kandidaturën e Jeh Johnson, ish-këshilltar ligjor në Pentagon dhe ish-sekretar për sigurinë kombëtare.