Bota

Gjenerali gjerman: “E gjithë Gjermania po përgatitet për luftë…”!

Kërcënimi i jashtëm për Gjermaninë është më evident se kurrë. Alarmin e ka ngritur Gjenerali i ushtrisë gjermane, Michael Giss. Në një intervistë për median Die Welt, ushtaraku i lartë gjerman dhe shefi i shtabit të komandës së Hamburgut, theksoi se kërcënimi më i afërt ushtarak për Gjermaninë është pas pesë vitesh dhe vendi agresor pritet të jetë Rusia.

“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së Gjermanisë, ne donim mbi të gjitha të shijonim “dividentin e paqes” për 30 vjet dhe dukej se ishim “të rrethuar nga miq”. Në Gjermani, ne jemi ende kilometra larg nga perceptimi i një rreziku të jashtëm këto ditë, krejtësisht ndryshe nga, për shembull, njerëzit në shtetet baltike ose Poloni. Por, ora ime e brendshme si ushtar po funksionon dhe më thotë se pas pesë vitesh do të duhet të jemi mjaft elastikë për t’i bërë ballë një kërcënimi të jashtëm ushtarak”-tha Giss.

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022, Bundeswehri gjerman filloi të zhvillonte “Planin Operativ të Gjermanisë” në mars 2023, versioni i parë i dokumentit sekret, i cili është rreth 1000 faqe i gjatë, i disponueshëm që nga marsi 2024. Si pjesë e strategjisë së NATO-s, Gjermania duhet të bëhet e aftë për luftë dhe mbrojtje.

“E gjithë Gjermania duhet të bëhet gati për luftë. Kjo është një detyrë kryesore e përgjithshme për politikën, Bundeswehr-in, biznesin dhe shoqërinë në kuptimin më të gjerë. Bëhet fjalë gjithashtu për infrastrukturën kritike dhe veçanërisht në Hamburg edhe për funksionin e portit për funksionimin e aleancës dhe për mbështetjen e NATO-s. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike në Evropë, Gjermania është vendi ku po zhvillohet marshimi, vendi përmes të cilit njësitë e NATO-s marshojnë drejt krahut lindor”-u shpreh Shefi i Shtabit të Ushtrisë gjermane për Hamburgun.

Aktualisht, 16 shtetet federale në Gjermani po kontribuojnë me skenarët dhe rrethanat e mundshme për planin operacional të Gjermanisë.