Aktualitet

Gjendet pranë Vunoit trupi i recepsionistit të vrarë në Dhërmi!

Gjendet pranë një guroreje në Vuno trupi i Eraldo Nevruzit, i cili u vra me armë zjarri nga bashkëpronari i hotelit “Greccia” ku punonte në Dhërmi. Ndërkaq, më herët u arrestuan dy persona, të dyshuar se ndihmuan në fshehjen e trupit. Si përkrahës të autorit të krimit, në pranga ranë shtetasit Daniel Qose e David Larti, punonjës të këtij hoteli.

Njoftimi zyrtar: 

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin e ngjarjes kriminale të ndodhur ditën e djeshme, në Dhërmi, për të fshehur trupin e pajetë të shtetasit E. N.

Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë.

Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi G. Sh., në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Në dhomat e personelit, janë gjetur gjurmë gjaku. Sipas informacioneve, policia vijon të qëndrojë në ambientet përreth vendit të krimit, për të zbuluar më shumë në lidhje me ngjarjen.

Autori i dyshuar Gerald Shehu, nga Tepelena, banues në Angli, u arratis me një makinë tip “Audi”, që u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë. Pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet greke, u bë i mundur ndalimi i tij në Korfuz, para se të kthehej në Britaninë e Madhe.

Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme e përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.