Një pikturë e artistit austriak Gustav Klimt, që është besuar se ka humbur që 100 vjet, është gjetur së fundmi në Vjenë. Portreti i Fraulein Lieserit, dikur ka qenë në pronësi të një familjeje hebreje në Austri dhe është parë për herë të fundit në publik, më 1925. Fati i saj më pas ka qenë i paqartë, mirëpo familja e pronarëve aktualë e ka pasur pikturën prej viteve ’60. Shtëpia e ankandeve im Kinsky, ka thënë se vlera e pikturës është mbi 54 milionë dollarë.
Portreti do të vendoset në ankand më 24 prill, në emër të pronarëve dhe pasardhësve ligjorë të familjes Lieser. Para ankandit, pikturat do të prezantohen në disa lokacione ndërkombëtare, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën, Gjermaninë dhe Hong Kongun. Portreti ka qenë dikur pronë e familjes Lieser. Një avokat u kanë thënë mediave austriake se deri në tani nuk janë gjetur dëshmi që kjo vepër është plaçkitur, apo vjedhur, para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veprat e Klimtit janë shitur për shuma të mëdha parash në të kaluarën.
Portreti i fundit i pikturuar nga Gustav Klimt, “Dame mit Facher” ose ndryshe “Gruaja me erashkë”, u shit për 86 milionë euro në Sotheby’s në Londër, duke vendosur kështu një rekord të ri evropian për shitjen e një vepre arti. Pas një ‘lufte’ prej dhjetë minutash në ankand midis katër klientëve në telefon dhe të pranishëm në dhomë, piktura u rrit në çmimin marramendës prej miliona eurosh, duke vendosur kështu për një vepër arti evropiane një rekord të ri ankandi për Gustav Klimt. Një vepër mbi temën e preferuar të Gustav Klimt-it, formën femërore, “Gruaja me erashkë” pasqyron ndikimin e lëvizjes japoneze në artin modern dhe stilin unik të Klimt-it. Piktura e Klimt, e filluar në 1917, mbeti e papërfunduar. Artisti nuk e kishte përfunduar ende kur ndërroi jetë në shkurt 1918.