Një koloni gjigante prej rreth 180 000 bletësh u zbuluan që qëndronin brenda tavanit të një shtëpie. Bletët besohet se kanë qëndruar mbi tavanin e gipsit të një dhomë gjumi për disa vite. Pronarët e shtëpisë thanë se kishin dëgjuar gumëzhima shpeshherë. Në shtëpi u gjetën tri koloni, secila me deri në 60 mijë bletë. Një bletar i specializuar u thirr për të zhvendosur tufën në koshere të përkohshme. Kolonitë do të monitorohen për parazitë gjatë javëve të ardhshme, përpara se të përdoren për prodhimin e mjaltit, vitin e ardhshëm.
Kolonia e parë, besohet se është formuar para shtatë vjetësh, ndërsa të tjerat janë formuar së fundmi. Pronari i shtëpisë spekulon se bletët zgjodhën atë vendndodhje specifike për shkak të madhësisë së saj, pasi çatisë i mungonte izolimi, duke siguruar një vend perfekt për kolonitë e bletëve.
Ndërkaq, vjeshta dhe dimrat më të ngrohtë po i vënë në rrezik bletët, paralajmërojnë studiuesit. Duke përdorur modelet e klimës dhe të popullsisë së bletëve, një ekip i Universitetit Shtetëror të Uashingtonit tregoi se vjeshta më të gjata me mot ideal rrisin gjasat që kolonitë e bletëve të shemben në pranverë.
“Shumë bletërritës tashmë po praktikojnë këtë teknikë të menaxhimit të ruajtjes së bletëve në ambiente të mbyllura, sepse ajo ka shumë potencial të menjëhershëm për të ndihmuar në një numër mënyrash,”-tha bashkautori i studimit Brandon Hopkins. Ai theksoi se studimi i ri tregon se ruajtja e ftohtë ka përfitime shtesë për mbijetesën e kolonive të bletëve në një klimë në ndryshim. Për studimin, studiuesit përdorën simulime të projeksioneve klimatike për vitet 2050 dhe 2100.
Gjithashtu, studiuesit thanë se modelet e tyre ishin konservatore, duke parë faktorët sezonal si temperatura, era dhe sasia e dritës së ditës. “Simulimet tona tregojnë se edhe nëse nuk ka stres ushqyes, patogjenë, pesticide, vetëm kushtet në vjeshtë dhe dimër janë të mjaftueshme për të komprometuar strukturën e moshës së një kolonie,”-tha bashkëautorja tjetër Gloria DeGrandi-Hoffman.