Sipas hulumtimeve të reja, qindra lloje kafshësh, kanë gjak të kontaminuar me substanca toksike PFAS. Megjithëse analiza nuk synon të zbulojë se si ekspozimi ndaj substancave PFAS ndikon në jetën e egër, provat në disa nga studimet e mëparshme tregojnë se kimikatet ka të ngjarë të sëmurin kafshët.
Analiza është bërë nga një organizatë jofitimprurëse që monitoron kontaminimin PFAS, duke zhvilluar një hartë interaktive që tregon se cilat specie kafshësh janë studiuar, ku janë analizuar dhe nivelet dhe llojet e PFAS të gjetura në gjakun e tyre.
Studiuesit kanë gjetur kimikate në një sërë speciesh duke përfshirë pandat, akrepat, tigrat siberianë, breshkat, kuajt, qentë, planktonin, luanët e detit, derrat e egër, lundërzat dhe guaskat e detit. Shkencëtari David Andrews tha se:
Gjerësia e ndotjes është dëshpëruese. U deshën gjashtë dekada kërkimesh te njerëzit për të kuptuar me të vërtetë se si këto kimikate ndikojnë në biologjinë tonë në mënyra kaq të ndryshme dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se të njëjtat efekte nuk vlejnë edhe për jetën e egër.
PFAS janë një klasë prej rreth 12,000 kimikatesh që përdoren shpesh për të bërë mijëra produkte të konsumit rezistente ndaj ujit, njollave dhe nxehtësisë. Ata nuk shpërbëhen natyrshëm dhe janë të lidhura me kancerin, sëmundjet e mëlçisë, stresin e veshkave, komplikimet e fetusit dhe probleme të tjera serioze shëndetësore.
Studiuesit kanë gjetur rreth 120 lloje të përbërjeve PFAS në gjakun e kafshëve, megjithëse ky numër ka të ngjarë të jetë më i lartë sepse kufizimet në aftësitë e testimit e bëjnë të vështirë identifikimin e shumë prej kimikateve.