Health & Beauty Lifestyle

Gërrhitja tek fëmijët, shkaqet e a duhet të shqetësohemi?

Rreth gjysmës së popullsisë së rritur gërrhin gjatë natës, një fenomen që për ekspertët është mëse i zakonshëm. Por kur bëhet fjalë për fëmijët, gërrhitja mund të jetë një simptomë që kërkon vëmendje, pasi në disa raste mund të tregojë probleme shëndetësore.

Një studim ka treguar se 1 në 10 fëmijë gërrhin natën, dhe shkaktarët e mundshëm të kësaj gjendjeje janë të ndryshëm. Një nga shkaqet kryesore është akumulimi i tepërt i indeve në fyt, që mund të pengojnë frymëmarrjen dhe të shkaktojnë gërrhitje. Bajamet e mëdha dhe prania e mishit të huaj në këtë zonë gjithashtu mund të jenë shkaktarë të frymëmarrjes së penguar dhe gërrhitjes.

Po ashtu, alergjitë, infeksionet e fytit, astma, devijimi i kockës dhe kërci të hundës, dhe apnea e gjumit janë faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë në këtë fenomen.

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kërkojnë ndihmën e një pediatri nëse fëmija i tyre ka simptoma si:

  • Gërrhitje të shpeshta gjatë natës
  •  Gërrhitje të zhurmshme
  • Frymëmarrje me gojë hapur
  •  Vështirësi në frymëmarrje gjatë gjumit

Këto mund të jenë shenja të apnees së gjumit, një gjendje ku frymëmarrja ndërpritet për disa sekonda gjatë natës, dhe që mund të shkaktojë lodhje dhe probleme me përqendrimin tek fëmijët. Apnea nuk është shumë e zakonshme tek fëmijët, por mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e tyre, duke prekur funksionimin e zemrës dhe mushkërive.

Gjithashtu, fëmijët me mbipeshë dhe ata që lindin para kohe janë më të rrezikuar nga gërrhitja. Po ashtu, fëmijët me Sindromën Down ose me çrregullime neuromuskulare mund të përjetojnë gjithashtu këtë problem.

Për trajtimin e gërrhitjes, pediatri mund të rekomandojë ndërhyrje të ndryshme, varësisht nga shkaku. Nëse problemi ka të bëjë me bajamet e mëdha ose mishin e huaj, mund të kërkohet një operacion. Për fëmijët me mbipeshë, mjekët mund të sugjerojnë humbje peshe. Po ashtu, për ata që vuajnë nga apnea e gjumit, mund të jetë e nevojshme një trajtim mjekësor dhe në disa raste një ndërhyrje kirurgjikale.
Kur problemi me apnean e gjumit zgjidhet, në shumë raste fëmijët mund të ndalojnë së gërrhitur, duke përmirësuar cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm.