Aktualitet

“Gërdeci”, shtyhet seanca/Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm!

Dosja “Gërdeci”, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. E radhës u caktua për më 31 korrik.

Mungonin Mediu dhe eksperti Ymer Stafa ndërsa ishte i pranishëm Henrik Ligori, avokat i ish-ministrit. Në sekretarinë e gjykatës ishin paraqitur 114 pyetje me shkrim, pasi në seancën e kaluar, GJKKO-ja vendosi që mbrojtja t’i paraqiste pyetjet për ekspertët.

Në seancën e 10 korrikut ishin pesë ekspertët Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Çela, Mondi Hoxha, të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimet e 15 marsit 2008 me pasojë 26 të vrarë e rreth 300 të plagosur në Gërdec.

Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan nga ekspertët që të njihen me mënyrën dhe metodikën e përdorur prej tyre për nxjerrjen e dëmit ekonomik. Por, ata deklaruan se të gjitha përgjigjet gjenden në aktin e ekspertimit dhe kjo shkaktoi debat mes palëve.

Në këto kushte, Gjykata e Posaçme vendosi që të procedojë me depozitimin e pyetjeve me shkrim nga palët, si dhe pastaj me paraqitjen e tyre, po me shkrim. Referuar GJKKO-së, deri më 11 korrik në orën 16:00, palët duhej të kishin dorëzuar pyetjet me shkrim dhe ekspertët e thirrur nga gjykata për Gërdecin, të përgjigjeshin me shkrim, më 17 korrik, pra sot.

Në një deklaratë për mediat, javën e kaluar, Fatmir Mediu deklaroi se “çështja po kthehet në një proces absurd”, se siç vuri në dukje, “ministri nuk ka asnjë lidhje me komisionin e çmimeve”.

Procesi kërkon që të bëjmë debat me dëshmitarët. Ky nuk është më një debat gjyqësor, por synon që t’i marrë gjërat të mirëqena e të vendosë përballë disa fakte të shkruara, që nuk kanë asnjë lidhje me ministrin. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme sepse është një material voluminoz. E gjitha kjo është një situatë absurdi, theksoi Mediu, i cili ishte në seancë i shoqëruar nga dy avokatët e tij.

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, Mediu po përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për ngjarjen tragjike të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, ku pas shpërthimeve të armëve e municioneve në fabrikën e demontimit të tyre, humbën jetën 26 persona. Në atë kohë, ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë Berisha.