Bota

GERB fiton zgjedhjet në Bullgari por nuk mjafton!

Zgjedhjet e djeshme parlamentare në Bullgari i fitoi partia e qendrës së djathtë GERB, referuar rezultateve paraprake por do t’i duhet një partner koalicioni për të formuar qeverinë. GERB kryeson me 26.08% të votave, e ndjekur nga partia reformatore, Ne Vazhdojmë Ndryshimin, e dyta me 14.76, pas numërimit të mbi 82% të votave. Ultra-nacionalistët e Ringjalljes, dolën të tretët, me 13.8%.

Zgjedhjet e djeshme, të shtatat në katër vjet, janë mbajtur si pasojë e dështimit të partive politike bullgare që të formojnë koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të 9 qershorit. Lideri i GERB-it, Boyko Borissov, sot falënderoi votuesit për mbështetjen dhe tha se partia e tij do të formojë qeverinë e re.

Ne do të punojmë së bashku me të gjithë, përveç Ringjalljes.

Bullgaria është drejtuar nga qeveri jetëshkurtra prej vitit 2020, kur protestat kanë ndihmuar në dhënien fund të koalicionit të udhëhequr nga partia GERB. Ekspertët thonë se ky vend ka nevojë për një periudhë stabiliteti, një qeveri që funksionon si duhet, në mënyrë që të rriten fondet e Bashkimit Europian dhe që të mund të nisin procedurat për përdorim të valutës euro.

Planet për të hyrë në Eurozonë janë shtyrë dy herë dhe kjo për shkak të mosarritjes së targetit në lidhje me uljen e inflacionit. Shumë votues janë shprehur se shqetësohen për mundësinë e më shumë pasigurive në të ardhmen. Në fund të majit 2022, qeveria Petkov nisi zbatimin e një plani operacional për të miratuar valutën e përbashkët të Eurozonës duke filluar nga janari i 2024-ës.

Por vendimi ishte marrë pa votat e partive të koalicionit, Socialistëve e Ka një popull të tillë. Këto dy parti mbështesnin miratimin e valutës së përbashkët europiane edhe pse fillimisht donin që të shihnin analiza për pasojat e mundshme të përdorimit të valutës euro.

Ligjvënësit nga partia Ka një popull të tillë e Trifonovit pati dorëzuar propozime mbi pezullimin e këtij plani deri kur Asambleja Kombëtare të miratonte analizat për efektet mbi kalimin e përdorimit të euros. Në anën tjetër, deputetët e partisë opozitare, Lëvizja për të Drejta dhe Liri, nuk e kanë kundërshtuar këtë qëndrim, por patën kërkuar qartësi. Partia Rilindja ishte shprehur kundër miratimit të vendimit për përdorimin e valutës euro.