Me shumë kënaqësi, këtë të premte “@ The Movies” vuri në qendër të vëmendjes një serial shqiptar, “Katrori i Pushtetit”, që pritet të vijë së shpejti. Seriali me 6 episode sapo ka përfunduar xhirimet e para, mbështetet nga Bashkimi Europian, prodhim i “Era Film” në kuadër të nismës “Make it Visible”.
Me një kast fantastik aktorësh nga më të spikaturit e vendin tonë si: Neritan Liçaj, Ema Andrea, Gentian Zenelaj, Sara Smaja, Myzafer Zifla, Romir Zalla, Orli Shuka dhe Dasara Xhangolli, nën regjinë e Robert Budinës dhe Mateo Cingu, skenar të Ajola Dajas dhe Robert Budinës, ky serial premton shumë, duke na sjellë prapaskenat nga media, biznesi, politika dhe krimi. E gjitha kjo do të rrëfehet përmes një këndi tjetër, atij të medias, ku 3 gazetare janë në qendër të subjektit. Gentian Zenelaj vjen në rolin e Yllit, bashkëshortit të një prej gazetareve. Ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim herët e tjera Gentin, këtu Ylli do të jetë një rol dramatik, i cili përfaqëson shqiptarin mesatar, atë që përballet me të gjitha padrejtësitë dhe vuan pasojat e tyre, që ka besimin se ky vend do të bëhet, por ndonjëherë ndihet edhe i pafuqishëm të ndryshojë diçka. Genti sapo ka xhiruar disa pjesë të tij, ndërkohë puna e ekipit vijon. Duke shpresuar që seriali do të përfundojë dhe do të shfaqet brenda këtij viti, ai u shpreh që zakonisht është post-produksioni ai që merr pak më tepër kohë.
Aktori u shpreh entuziast që më në fund po vjen një serial shqiptar dhe prodhime të tilla duhet të shtohen, pasi i kemi të gjitha mundësitë dhe burimet e duhura, kemi aktorë brilantë. Synimi i këtij seriali është të arrijë deri në platformat “Netflix” dhe “Amazon Prime” dhe i ka të gjitha gjasat për t’ia arritur këtij qëllimi, pasi realiteti i pasqyruar në këtë serial nuk është vetëm ai shqiptar, por edhe i shumë vendeve të tjera në Ballkan e më gjerë. Zenelaj tha se seriali do të pëlqehet nga të gjithë, pasi është shumë aktual, madje aktual i 30 viteve të fundit.
Edhe pse një serial i limituar, me vetëm 6 seri, stafi i “@ The Movies” uron që të shndërrohet në një serial me disa sezone, si dhe të arrijë suksesin e merituar në platformat e lartpërmendura. Ndihemi të gjithë krenarë teksa shumë shpejt mund të shikojmë në “Netflix” serialin më të ri shqiptar.
Arta dhe Edi uruan aktorin edhe për çmimet që mori filmi “Love” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Zenelaj mori çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”. Aktori nuk ngurroi të shprehte dëshirën që edhe filmi “Love” të rikthehej në kinema, e ndërsa prezantuesit e programit uruan që “Love” të bëhej serial e të ketë një sukses ndërkombëtar të mëtejshëm, pasi edhe aty shohim një realitet social që na përket të gjithëve.