Gent Hazizi ka lindur në Tiranë në 16 Nëntor 1972 dhe është aktor i skenës së teatrit dhe filmit. I profilizuar në zhanrin e stand-up komedisë, Genti ka një numër të madh realizimesh ku mes tyre mund të veçojmë “Plako t’majt e jotja”, “Çfarë do bëhem kur të rritem?!”, “Sikur të isha grua”, etj.
Serialet televizive shqiptare si “Oh sa mirë!”, “Familja Kuqezi”, “Në kërkim të kujt” dhe sitkomi italian “Tutti pazzi per amore” kanë në kastin e tyre aktorin Gent Hazizi. Duke vijuar me stand-up komedinë, u bë pjesë e spektaklit të humorit “Portokali” në Top Channel. Bashkëpunimi me Top Median u zgjerua edhe me pjesëmarrjen në spektaklin “Dancing With The Stars” si edhe në reality-show më të ndjekur nga audienca mbarëshqiptare “Big Brother Vip 2”.
Gent Hazizi nuk e kufizoi veten vetëm me komedinë por realizoi suksesshëm shumë role dramatike prodhime artistike shqiptare dhe të huaja, ku ishte zgjedhja e regjisorëve Gjergj Xhuvani për filmin “Lindje Perëndim Lindje”, Spartak Pecani për filmi “Ada”, Dhimitër Anagnosti për filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, si edhe në filmin “Arrivederci Amore Ciao” krahas aktorëve Michele Placido, Alessio Boni, Isabella Ferrari.
Është fitues i shumë çmimeve teatrale dhe kinematografike ku mes tjerash si “Aktori më i mirë” nga TIFF, “Aktori më i mirë” nga 48 orëshi, etj. Që nga Marsi 2023, bashkë me skenaristin Ermir Topi, moderojnë programin “Merre Me Long Show” që transmetohet çdo të Premte në Top Albania Radio.