Dy ditë pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike zyrtare në Pallatin e Kongreseve, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi publikoi sot emrat e 5004 delegatëve që votuan për përjashtimin nga funksionet drejtuese në parti të personave të shpallur “non grata”.
Gjatë gjithë kësaj rrëmuje tw krijuar në PD, standardi ynë ka qenë transparenca. Transparencë për shumicën absolute të mbështetjes dhe zgjedhjes së të ardhmes nga Kryesia e partisë. Transparencë e plotë për shumicën absolute të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që gjithashtu zgjedhin të ardhmen dhe kanë lënë pas të shkuarën. Dhe sot është radha të bëjmë transparencë për shumicën absolute të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që gjithashtu zgjodhën këtë të shtunë të ardhmen dhe lanë pas të shkuarën.
Bardhi tha se “edhe pse nuk ka qenë në traditë të PD-së që të publikohen emrat e pjesëmarrësve të Kuvendit Kombëtar, pikërisht për t’i shkuar transparencës deri në fund, publikojmë listën e plotë të anëtarëve të Kuvendit”.
Tollovia e këtyre muajve nuk u shërben demokratëve dhe PD-së. Çdo institucion i PD-së ka folur: Kryesia, Këshilli, Kuvendi. Kemi detyrimin t’i bindemi institucioneve të partisë. Prandaj të fokusohemi në betejën me Edi Ramën. Nga ana tjetër u premtua transparencë prej Berishës, por gazetarët nuk u lejuan as të futeshin në stadium. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Nuk u lejuan sepse në stadium do të gjenit kandidatë të Jozefina Topallit të futur si delegatë, njerëz të Tom Doshit të futur si delegatë.
Një koment, numri dy i PD-së e kishte edhe për referendumin e 18 dhjetorit të thirrur nga Berisha që anëtarët demokratë të ratifikonin vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë.
Mund t’ju them se ka votuar një kryetar i LSI-së në Qarkun e Fierit. Partia ka rregulla të qarta në statut se kush quhet anëtar. Në 92-shin ka qenë anëtar, në këtë kohe ka ndërruar disa parti, por ka shkuar të votojë me kartën e 92-shit, megjithëse është kryetar i LSI-së për Divjakën.
Në dijeninë tuaj, kanë votuar edhe drejtorë të emëruar nga Edi Rama, që kanë hequr demokratë nga puna. Më 18 dhjetor ka pasur vetëm një aktivitet politik të PD-së: Kuvendi Kombëtar. Të tjerat janë aktivitete private, që bëjnë listat sipas dëshirës së tyre.
Lidhur me protestën anti-Vuçiç të thirrur sot nga Berisha, Bardhi komentoi:
Arsyet e protestës shtohen nga dita në ditë. Ajo që është njoftuar ka qenë kundër Vuçiçit, presidentit serb, i cili mbërrin sot në Tiranë. Cilido është i lirë për të protestuar kundër kujtdo që dëshiron, unë kam bindjen që i shtohen hallet përditë e orë pas ore, madje minutë pas minute duan largimin e regjimit të Edi Ramës. Arsyet për të protestuar, cilido i gjen vetë.
Sot PD nuk ka thirrur protestë. Berisha ka thirrur protestë kundër presidentit serb, ndërsa nuk është hera e parë që vjen. Arsyet pse zgjedh këtë herë të protestojë do të duhet media të hetojë e verifikojë. Rrëmuja dhe vijimi i rrëmujës nuk i ndihmon demokratët, është në interes të vetëm një individi.