Aktualitet Politikë

Gazment Bardhi: Nesër, nuk ka seancë normale Kuvendi!

Teksa deklaroi se “Rama i ka shpallur luftë”, Gazment Bardhi paralajmëroi se “nesër nuk do të ketë seancë normale plenare në Kuvendin e Shqipërisë”. Për gazetarët, kryetari i grupit demokrat u shpreh:

Grupi ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do të bëjmë, do t’i mësoni aty.

Ndërkaq, Bardhi konfirmoi pjesëmarrjen e demokratëve në mbledhjen e orës 15:00 të Sekretariatit të Etikës ku do të merret vendim mbi kërkesën e socialistëve për të përjashtuar 24 kolegë demokratë lidhur me aktet e dhunës në Parlament, në seancën e 30 shtatorit.

Grupi parlamentar do të jetë në mbledhjen Sekretariatit të orës 15:00, si formë e mosdakordësisë tonë me këtë përshkallëzim që Partia Socialiste po i bën grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të përjashtosh opozitën nga Kuvendi, të burgosësh opozitën për fjalën e lirë, të pengosh opozitën që të kryejë funksionet veta, të tentosh ta asgjësosh opozitën, siç e kam thënë edhe më parë, është shpallje lufte ndaj PD-së, grupit parlamentar të PD-së e opozitës në tërësi.

Në një tjetër zhvillim, pritet që sot Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së të paraqitet në SPAK lidhur me kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Posaçme për shantazh. Para dy ditëve, ai e informoi SPAK-un mbi një përpjekje për ta intimiduar përmes dokumentave të falsifikuara.

Gazment Bardhi i kërkoi SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i shkuan më 28 shtator në aplikacionin Signal, ku “sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar”.

Në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, Bardhi tregoi se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog” ku i shkruan:

Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës së dërguar në SPAK.

Pak ditë pas denoncimit dhe kallëzimit, SPAK-u është vënë në lëvizje e sot pritet që kryetari i deputetëve demokratë të japë sqarime.