Aktualitet Politikë

Gazmend Bardhi: Krijimi i qeverisë teknike është domosdoshmëri për PD dhe qytetarët!

Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi ka thënë se kërkesa kryesore e Partisë së tij është krijimi i një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

I ftuar në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, ai tha gjithashtu se Drejtimi Politik i Qarkut të Fieri është një përgjegjësi e re për të dhe se nuk ishte zgjedhja e tij, por e kryetarit të PD, Sali Berisha.

“Drejtimi politik në të gjitha qarqet është kompetencë e kryetarit të partisë dhe secili prej nesh merr atë përgjegjësi, aty ku Partia Demokratike gjykon që jemi më të vlefshëm. Kryetari i partisë ka gjykuar që unë duhet të jap kontributin tim sa i takon organit elektoral të partisë demokratike në qarkun e Fierit dhe pa diskutim unë kam pranuar. Ushtroj këtë përgjegjësi që më është ngarkuar mes Elbasanit që iu drejtua të vitin 2021.

I pyetur se cili është qarku më i vështirë, duke patur parasysh që Fieri është edhe qarku më i madh pas Tiranës dhe njihet si bastion i socialistëve, ai thotë se Elbasani ka qenë një qark i vështirë për shkak të bandave, të cilat sipas tij kanë qenë në shtabin elektoral të PS.

“Unë gjykoj që fushata është e njëjtë, është e njëjtë kudo, por sigurisht që qarqe të caktuara kanë specifika të caktuara. Elbasani ishte fushata ime e parë dhe unë u jam mirënjohës përjetë qytetarëve të qarkut të Elbasanit për besimin dhe mbështetjen që na dha në vitin 2021 në kushte tërësisht të vështira. Partia demokratike kishte përballë eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar që vepronin në vend dhe zhvillimet e mëvonshme edhe dosjet e SPAK-ut e provuan këtë. Një pjesë e konsiderueshme e atyre që janë arrestuar për porositje vrasjesh apo për vrasje të ndryshme, apo që janë në arrati dhe në kërkim për këto çështje kanë qenë shtabi elektoral i partisë socialiste në vitin 2021, në qarkun  e Elbasanit, prandaj edhe mirënjohja ime do të jetë e përjetshme për qytetarët e qarkut të Elbasanit për mbështetjen, për punën që bënë, në kushte tërësisht vështira. Sigurisht që qarku i Fierit ka specifikat deri diku të njëjta, por personalisht i mbetem i vendosur për të bërë më të mirën për partinë demokratike. Kam bindjen që do të bëjmë më të mirën për Shqipërinë, për qytetarët e qarkut të Fierit.

Bardhi shprehet se kërkesa kryesore e Partisë së tij, por edhe nevojë e Shqipërisë është është qeveri teknike pa Edi Ramën kryeministër.

“Së pari do të duhet të kuptojmë që kjo nuk është një kërkesë e Partisë Demokratike, por është një nevojë e Shqipërisë për të mundësuar që në vitin 2025 ne të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është e papranueshme që vullneti i qytetarëve të deformohet nga ndërhyrjet e krimit të organizuar në zgjedhje. Është e papranueshme që vullneti i qytetarëve të ndikohet nga paratë e korrupsionit që përdoren në zgjedhje. Është e papranueshme që administrata shtetërore një ushtri elektorale e partisë në pushtet është e papranueshme që paratë e buxhetit të shtetit që do të duhet të shkojmë për investime në dobi të qytetarëve të përdoren për të deformuar vullnetin e tyre të lirë. Në këtë kuptim një qeveri teknike do të siguronte barazinë e palëve në zgjedhje. Do të ishte një garanci e madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë gjykoj që në vitin 2025 nuk mundet më Shqipëria edhe si një vend anëtar i NATO -s edhe si vend kandidat për Bashkimin Europian që të bëjë zgjedhje ku OSBE-ja konstaton që është cënuar liria e votës apo është shkrirë në një shtet dhe partia në pushtet.