Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për gazifikimin e Korçës.
“Është një lajm shumë i mirë ky, i cili është ngjizur prej kohësh midis Albgazit dhe SOCAR, por tashmë po bëhet realitet. Planet tona janë që të nisim sa më parë nga puna, duke nisur me pjesën inxhinierike. Parashikohet që puna të nisë në 2025 për të përfunduar në 2027. Synojmë të krijojmë një rrjet të tërë shpërndarjeje që të mbulojë të gjithë qytetin, por edhe në bizneset e qytetit”, -u shpreh Balluku pas firmosjes së marrëveshjes.
Sipas ministres, projektet për gazifikimin e vendit do të vazhdojnë deri në vitin 2030.
“Sa më shumë të rritet plani për gazifikimin e Shqipërisë, aq më shumë ulen kostot. Në fillim, shteti do ta mbështesë këtë procedurë të re, këtë produkt të ri, duke e zgjeruar më pas edhe në zonën e Pogradecit dhe Ersekës. Ne parashikojmë që ky gazifikim i vendit të vazhdojë deri në vitin 2030, duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve, të cilat kanë edhe pjesë industriale”, -u shpreh Balluku.