Gazeta Bild, e cila është pjesë e medias Axel Springer në Gjermani, paralajmëron se do të përdorë inteligjencën artificiale dhe për këtë arsye mund të pushojë nga puna 200 punonjës. Bild, një nga gazetat më të shitura në Evropë, do të zëvendësojë një sërë punësh editoriale me inteligjencë artificiale si pjesë e një programi 100 milionë eurosh për uljen e kostove, pra priten pushime masive nga puna.
Sipas lajmeve në mediat gjermane, thuhet se në fillim të javës, punonjësve të gazetës u është thënë se do të largohen nga puna për shkak të mundësive që ofron inteligjenca artificiale. Rrjedhimisht, numri i botimeve rajonale të gazetës Bild do të ulet nga 18 në 12. Nga ana tjetër, gazetat më të vogla lokale do të mbyllen plotësisht dhe do të ulet niveli i udhëheqësisë.
Drejtori ekzekutiv i Axel Springer, Mathias Döpfner deklaroi në një email drejtuar punonjësve 4 muaj më parë se nga 1 janari 2024, strategjia e Grupit Axel Springer do të jetë “vetëm dixhitale” ose “së pari dixhitale, pastaj e printuar”. Në atë email thuhej se rolet, pra përshkrimi i punëve të kryera nga redaktorët, zëvendësedaktorët dhe redaktorët e fotografive nuk do të ekzistojnë më si sot.
Në artikull thuhet se Döpfner deklaroi se do të duhet të largohen kolegët e tij që kanë detyra që do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale dhe proceset në botën dixhitale ose që nuk mund ta gjejnë veten në këtë rend të ri me aftësitë e tyre ekzistuese. Ai u shpreh se mjetet e AI si ChatGPT mund ta bëjnë gazetarinë e pavarur më të mirë se sa ka qenë ndonjëherë ose ta zëvendësojnë atë tërësisht.