Bota

Gaza, ushtria izraelite gjen trupat e pajetë të dy pengjeve!

Ushtria izraelite njoftoi se gjeti trupat e pajetë të dy pengjeve të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 e që ishin mbajtur në Gaza nga ajo kohë. Një prej tyre u identifikua si Maya Goren, edukatore kopshti, 56-vjeçe dhe pengu i dytë është 33-vjeçari Oren Goldin, nga zona Nir Yitzhak.

Goren e Goldin ishin në mesin e 120 pengjeve që ende mbahen në Gazë, rreth 40 prej të cilëve Izraeli i ka deklaruar të vdekur në mungesë, bazuar në gjetjet mjeko-ligjore në vende të ndryshme të sulmit, të dhënave të zbulimit dhe dëshmive nga pengjet e liruara.

Gjatë një fjalimi në Kongresin Amerikan, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se qeveria e tij është e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet intensive për lirimin e pengjeve të mbetura dhe se ai ishte i bindur se këto përpjekje do të kenë sukses.

Një zyrtar në Izrael tha se javën e ardhshme, një delegacion izraelit do të marrë pjesë në bisedimet për të siguruar armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Negociatat janë ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti e Katari. Grupi radikal palestinez, Hamas dëshiron arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por kryeministri Netanjahu thotë se do të përfundojë vetëm “pas eliminimit të Hamasit”.

Në një fjalim në Kongresin Amerikan, Netanjahu mbrojti luftën e Izraelit në Gaza dhe dënoi protestuesit amerikanë. Ai u zotua se vendi do ta vazhdojë luftën deri në “fitoren totale”. Gjithashtu kërkoi mbështetje më të fortë nga Shtetet e Bashkuara për betejën me Hamasin e të tjera grupe të armatosura, të mbështetura nga Irani, si edhe dënoi ashpër kundërshtimet e shumta ndaj luftës, në Shtetet e Bashkuara.

Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku! Kur qëndrojmë së bashku, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin.

Ish-pengje të liruara dhe familje të pengjeve ishin të pranishëm në sallën e Kongresit Amerikan. Ligjvënësit e të dyja partive u ngritën vazhdimisht për ta duartrokitur udhëheqësin izraelit, ndërsa disa protestues që u çuan nga vendi duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e të gjithë pengjeve, u nxorrën jashtë nga rojet e sigurisë.