Objektivi kryesor sigurisht që është gjetja e një mbrojtësi që do të zëvendësojë Gleison Bremerin i cili kam humbur sezonin, por në fokus është gjithashtu edhe rinovimi i Dushan Vlahoviç.
“Ne jemi duke punuar për këtë gjë”, u shpreh më parë Xhuntoli që ka filluar tashmë nga puna dhe madje i ka të qarta idetë e tij se si do të arrijë deri në fund te firma mbi kontratë.
Edhe pse nuk do të jetë një blerje e re, duket si një goditje e madhe në merkato nëse Juventusi arrin të rinovojë me Vlahoviçin, pasi mosha e tij e re i premton një të ardhme të ndritur. Linjat e komunikimit me agjentët e lojtarit janë rivendosur dhe vetë Vlahoviç për momentin është i interesuar që të vazhdojë aventurën e tij në Torino. Sulmuesi serb është i lumtur nga cikli i ri që është hapur nga Tiago Mota dhe kërkon të jetë në qendër të projektit i cili mund ta bëjë atë të ngrejë shumë trofe në qiell.
Mesazhet e dashurisë dhe kontaktet nuk kanë munguar, por me kalimin e ditëve do të fillojnë të shpeshtohen. Juventusi dhe Vlahoviç nuk po limitohen vetëm te fjalët e mira, por do të nisin edhe veprimet konkrete në fundin e këtij muaji. Drejtuesit bardhezi dhe agjentët e lojtarit kanë përcaktuar një takim në fund të muajit për të hedhur edhe hapa konkretë për rinovimin. Në aksin Torino-Beograd manovrat do të intensifikohen në mënyrë që Juventusi të arrijë objektivin që i ka vendosur vetes, të rinovojë me Vlahoviçin të paktën deri në Krishtlindje. Shumica e punës varet nga takimi i parë.
Vlahoviç aktualisht përfiton 8 milionë euro neto në sezon te Juventusi, që bëhen 10.5 milionë edhe falë bonuseve. Megjithatë, në sezonin tjetër ky bonus do të rritet dhe Vlahoviç do të përfitojë në total 12 milionë euro. Shifrat e rrogave të lojtarëve të Juventusit kohët e fundit nuk janë shumë të larta, duke qenë se klubi po ndjek një filozofi për të ulur shpenzimet. Xhuntoli po planifikon t’i ofrojë dy mundësi Vlahoviçit, me një rrogë që nuk do të ketë bonuse që rriten vit pas viti, por që do të qëndrojë në të njëjtin nivel në vazhdimësi. Një ofertë lidhet me rinovimin që do të zgjaste kontratën deri në vitin 2027 dhe një tjetër që do ta mbajë të lidhur serbin deri në vitin 2028.
Në versionin e dytë, Xhuntoli mund të ofrojë dhe bonuse që rriten në vazhdimësi, por që do të shpërndaheshin në një kohë pak më të gjatë dhe Juventusit nuk do t’i rëndonin shumë në bilancet vjetore. Megjithatë, negociatat mes palëve kanë nisur, tashmë është koha për “luftën e ftohtë” nga ana e çdokujt për të dalë sa më të fituar nga rinovimi. Rëndësia kryesore te Juvja është se të dyja palët kanë vullnet që të vazhdojnë “martesën” së bashku.