Besart Xhaferri, ekspert dhe konsulent edukimi dhe karriere ishte i ftuar ditën e sotme në “Çdo gjë është ashtu si duket” për t’ju dhënë disa këshilla më se të nevojshme lidhur me zgjedhjen e degës së universitetit. Ai u shpreh lidhur me zhvillimin teknologjik, dhe si ai ka ndikuar në ndryshimin dhe dinamikën e shumë profesioneve.
Zhvillimi teknologjik do të zhdukë disa profesione teksa do krijojë të reja. Teknologjia deri më sot e ka ngritur punësimin, nuk e ka ulur.
Ndërkohë, ai solli edhe disa statistika lidhur me profesionet e të sotmes dhe ato të së ardhmes, teksa tregoi edhe numrin e profesioneve që një i ri ndërron në bazë të statistikave.
80% e zanateve që ekzistojnë sot nuk do të jenë në vitin 2050, dhe 80% e atyre që do të jenë në vitin 2050, ne nuk i kemi zbuluar ende. Një i ri që fillon sot arsimin, gjatë karrierës së tij do të ndërrojë mesatarisht 9 zanate.
Por cilat ishin disa këshilla që Xhaferri dha për të rinjtë në lidhje me studimet dhe profesionet që ata zgjedhin?! Ai jep mesazhin e fortë që vetëm duke ndjekur pasionin tënd mund të bëhesh vërtet shumë i suksesshëm në atë profesion.
Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë aftësi të transferueshme, që do të thotë të transferohesh lehtë nga zanati në zanat. Gjithashtu të rinjtë duhet të zgjedhin degët që kanë pasion, gjimnazistët t’ia bëjnë pyetjen vetes, jo prindërve. Duhet të jetë zgjedhja e tyre. Ti mund të bëhesh biliarder dhe i famshëm në çfarëdo lloj fushe.