Aktualitet

“Gati për shtet Bektashi”, Baba Mondi flet për mediat izraelite: Ja çfarë i kemi kërkuar qeverisë…

Deklarata e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë gjatë fjalës të mbajtur në OKB, vijon ende të jetë një temë me interes të lartë nga mediat ndërkombëtare.

Së fundmi, i pari i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, ka dhënë një intervistë për gazetën “The Jerusalem Post”, ku ka kërkuar çuarjen përpara të kësaj ideje.

“Shteti shqiptarë gëzon të drejtën e aprovimit të ligjit për këtë çështje.  Më pas ne do ti drejtohemi komunitetit ndërkombëtarë duke i kërkuar njohjen. Ne duam të kemi një status diplomatik në botë duke u njohur si “Qendra Botërore e Bektashinjve”. Qendrat e komunitetit tonë në të gjithë botën  do të jenë pjesë e “Qendrës Botërore”. Ne po zhvillojmë strategji të ndryshme në lidhje me zbatimin e këtij plani. Por fillimisht duhet qeveria e Shqipërisë të miratojë ligjin duke ndryshuar statusin tonë”, ka thënë Baba Mondi.

Në intervistë Baba Mondi ka folur ndër të tjera për jetën e tij, ku ka treguar dhe një nga kujtimet e tij më traumatike nga kohët  e persekutimit fetar. Ai ka përmendur kohën kur autoritetet komuniste dogjën shtëpinë e familjes së tij, në të cilën dy nga motrat e tij u dogjën për vdekje.

Me rënien e komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, Baba Mondi ka treguar se filloi studimet fetare, duke u bërë fillimisht dervish dhe në vitin 2011 u zgjodh udhëheqësi i tetë shqiptar i urdhrit të tij.