Studiuesit në Universitetin e Teksasit në Dallas kanë bërë një zbulim të pazakontë: një metodë për ta kthyer lëkurën e një kafshe në të tejdukshme. Lëkura e minjve u kthye në transparente duke vendosur një përzierje uji dhe tartrazine, një ngjyrues i zakonshëm ushqimi, në pjesën e kafkës dhe barkut. Pasi boja ishte përhapur në lëkurë, kjo e fundit bëhej transparente brenda pak minutash.
Edhe pse duket shumë e çuditshme, kjo është e mundur sepse lëkura është një “medium përhapës”. Materiale të tilla lejojnë valët e dritës që të shpërhapet në drejtime të ndryshme kur reflektohet drejt tyre. Në vend që drita të depërtojë, ajo përthyhet. Sipas Zihao Ou, zbulimi “përbën kuptim” për ata që kanë njohuri në fizikë ndërsa për të tjerë, “duket si truk magjie”. Ai shpjegoi:
Ne bashkuam bojën e verdhë që është një molekulë që përthith pjesën më të madhe të dritës, sidomos dritës blu dhe ultravjollcë, me lëkurën që është një medium përhapës. Veç e veç, këto të dyja e bllokojnë depërtimin e dritës. Por kur i bashkuam, arritëm të bënim të tejdukshme lëkurën e minjve.
‘Magjia’ ndodh kur molekula që përthithin dritën treten në ujë dhe ndryshojnë solucionin duke e bërë që të përthyejë dritën për t’u përshtatur me pjesë të lëkurës, si yndyra.
Duhen disa minuta që të ndodhë. Është e ngjashme me mënyrën si funksionon një krem ose një maskë fytyre: Koha varet nga shpejtësia e përhapjes së molekulave në lëkurë.
Shkencëtarët thanë se minjtë nuk mbeten ashtu dhe kthehen sërish në gjendjen e mëparshme me një larje të thjeshtë. Ata mund të shihnin enët e gjakut në sipërfaqen e trurit përmes lëkurës së tejdukshme. Në bark, mund të dalloheshin organet e brendshme dhe shtrëngimet e muskujve që mundësojnë lëvizjen e ushqimit në aparatin tretës.
Edhe pse eksperimenti funksionoi te minjtë, studiuesit nuk e kanë testuar ende te njerëzit, lëkura e të cilëve është 10 herë më e trashë. “Nuk është ende e qartë doza ose metoda që duhet për të depërtuar në të gjithë trashësinë e saj”, tha Ou. Një nga aplikimet e para të kësaj teknike do të jetë përmirësimi i metodave ekzistuese të kërkimit biomjekësor.
“Pajisjet optike, si mikroskopi nuk mund të përdoren për studimin e njerëzve apo kafshëve të gjalla sepse drita nuk depërton në inde. Por tani që lëkura mund të bëhet transparente, do të na lejojë të shohim dinamikat më në detaje. Do ta ndryshojë rrënjësisht kërkimin ekzistues optik në biologji”. Studiuesit po testojnë molekula të tjera, përfshirë materiale të dizenjuara posaçërisht, që mund të funksionojnë më mirë se tartrazine.