Bota

Gara për Shtëpinë e Bardhë, zv.presidentja Harris ballafaqohet me diskriminim gjinor dhe racor!

Thirrja e Nënpresidentes Kamala Harris për votuesit amerikanë që ta mbështesin atë për t’u zgjedhur në postin më të lartë të vendit të saj, po përballet me një mori sulmesh seksiste, që po vënë në shënjestër jetën e saj bashkëshortore, garderobën madje edhe të qeshurën e saj të veçantë – të gjitha këto, sipas ekspertëve, tipare të misogjinisë.

Nënpresidentja Harris po përpiqet të përmbysë këtë teori, e cila ekziston për më shumë se një shekull, që kur gruaja e parë u fut në garë për presidente. Por studiuesit thonë se zonja Harris përballet edhe me një sfidë tjetër të cilës nuk mund t’i shmanget: prejardhjes së saj të përzier racore. Ja çfarë thotë kandidati republikan për president, Donald Trump:

Ajo gjithmonë përmendte vetëm trashëgiminë indiane. Nuk e dija që është zezake deri para pak vitesh, kur ajo disi u shndërrua në zezake. Dhe tani ajo dëshiron ta njohin si zezake. Prandaj nuk e di, a është indiane apo zezake?

Ky, sipas studiuesve, është shembull i qartë i të ashtuquajturës “misogjini racore”, apo diskriminim gjinor ndaj grave me ngjyrë. Nadia Brown, nga Universiteti Georgetown, thotë:

Misogjinia racore është një hibrid i tmerrshëm midis seksizmit dhe racizmit që përdoret në veçanti ndaj grave me ngjyrë. Ajo i ka rrënjët në stereotipin rreth dhe kundër grave me ngjyrë si dhe ndaj përcaktimeve që nuk u përshtaten normave të epërsisë patriarkale heteroseksuale të racës së bardhë.

Këto sulme paragjykuese nxitën edhe disa nga kritikët më të ashpër republikanë të Nënpresidentes Harris që të bëjnë përpjekje për t’i frenuar ato. Studiuesit thonë se ekziston një përkrahje në rritje për gratë që u përmbahen roleve më tradicionale në shoqëri, siç mund të shihet në lëvizjen e ashtuquajtur ‘gruaja tradicionale’ që po merr hov në rrjetin social ‘Instagram’, e cila e konsideron rolin e gruas si shtëpiake, nënë dhe si bashkëshorte e devotshme. Por disa votuese i hedhin poshtë këto sulme me bazë gjinore si “qesharake”.

Është seksiste. Bëhet fjalë për njerëz që duan dominimin e burrave. Edhe kur zonja Clinton vuri kandidaturën, ata deklaronin ‘Oh jo, ajo është grua. Çfarë ndodh nëse është me cikël. Do ta fillojë luftën.