Aktualitet

Gara për Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Shqipëria mund Turqinë!

Shqipëria realizon fitoren e parë në garën për të qenë një shqiptar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së. Burime nga selia e organizatës në Vjenë i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se “Shqipëria mundi Turqinë në një votim të brendshëm të kryer të nesërmen e takimit mes Ramës dhe Erdogan-it në Nju Jork”.

Pro paketës së Shqipërisë me në krye Igli Hasanin si sekretar të ri të Përgjithshëm të OSBE-së u shprehën 37 vende. Të njëjtat burime tregojnë se 10 vende, mes tyre Rusia, SHBA-të dhe Serbia (Holy See, Rusi, Bjellorusi, Spanjë, Mongoli, SHBA, Serbi, Hungari, Bosnjë-Hercegovinë, Azerbajxhan), nuk u shprehën për njërën apo tjetrën paketë, duke lënë të kuptohet se janë gati të shkojnë me kandidatin me paketën më të mbështetur e që është e Igli Hasanit.

Për paketën Turqi-Greqi u shprehën mbështetëse vetëm 8 vende (5 nga Azia Qendrore, si dhe Portugalia, Turqia, Greqia).

Në këto kushte, pozicioni i Turqisë së mbështetur nga Greqia është vështirësuar shumë dhe gjasat janë që Turqia t’i hapë rrugë kandidatit të Shqipërisë ose një kandidat i tretë, mund të përfitojë nëse ky ngërç zgjat deri në limitet kohore.

Fakti më interesant për të gjithë observatorët e brendshëm të procesit në Vjenë është se pavarësisht kërkesës së Turqisë për t’i hapur rrugë, Shqipëria vazhdoi t’i kërkojë të njëjtën gjë Ankarasë duke qenë se ka siguruar më shumë mbështetje se Turqia.

Duket se ky qëndrim nuk ka ndryshuar as pas takimit kokë me kokë të presidentit turk Erdogan me kryeministrin Rama. Nëse Rama do t’ia dalë në këtë lojë shahu me mikun e tij, Erdogan, atëherë që padiskutim, kjo do të jetë një tjetër arritje ndërkombëtare e që deri dje do të konsiderohej e paimagjinueshme për Shqipërinë.

Por, këtë herë jemi në një lojë diplomatike e më së shumti lobuese mes vendeve anëtare të OSBE-së dhe aspak të lehtë.

Burime nga OSBE-ja në Vjenë thanë për Top Channel se Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, pa shumë zhurmë, prej shumë kohësh është duke punuar për ambicien e drejtimit të OSBE-së.

Në kushtet kur marrëdhëniet turko-greke janë normalizuar, këto dy shtete vendosën të dalin me një kandidat të përbashkët për vendin vakant të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-s. Turqia, Greqia, Serbia dhe Gjeorgjia propozuan ish-ambasadorin Feridun Sinirlioğlu ndërsa për kreun e ODIHR-it, greken  Maria Telalia.

Nga ana tjetër, me mbështetjen e Holandës, Shqipëria propozoi ministrin e punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani për postin e numrit një të OSBE-së dhe Christophe Kamp-in për në krye të ODIHR-it./Top Channel