Bota

Gara për presidentin e Komisionit Europian/Kush tjetër përveç Ursula von der Leyen-it?

Në garën për postin e lartë në Komisionin Evropian është Ursula von der Leyen në krye, por a ka një kandidat surprizë që nuk është kaq i rëndësishëm? Ndërsa qytetarët e BE-së përgatiten të zgjedhin Parlamentin e ardhshëm Europian, entuziastët e politikës së Bllokut po pyesin nëse von der Leyen do të lejohet të mbajë postin e lartë dhe nëse jo, kush mund ta zëvendësojë?

Kushdo që dëshiron postin e presidentit, duhet të kapërcejë dy pengesa. Së pari, ata duhet të emërohen nga udhëheqësit e BE-së në bisedimet me dyer të mbyllura pas zgjedhjeve. Së dyti, kandidati duhet të konfirmohet nga shumica në Parlamentin Europian.

Në vitin 2019, Ursula von der Leyen e kaloi pengesën e dytë, me një diferencë prej vetëm nëntë votash. Nuk ka asnjë arsye pse të mos supozojmë se parlamenti i ri i vitit 2024 do të jetë më miqësor ndaj saj.

Kryesuesja: Ursula von der Leyen

Sido që të jetë, tani për tani, presidentja aktuale Von der Leyen është personi më i favorizuar për të marrë detyrën. Ajo shpreson se politikat që ndoqi për të trajtuar pandeminë e COVID-it dhe luftën Rusi-Ukrainë do t’i japin nje avantazh. Por, modeli i saj i menaxhimit është kritikuar nga eurokomisionerët. Ngurrimi i Von der Leyen-it për të folur me mediat është i njohur dhe mungesa e transparencës së saj është legjendare.

Po kështu është vendimi i saj për të jetuar e për t’u mbyllur në katin e 13-të të selisë së komisionit: atë që disa e shohin si shenjë të etikës në punë, të tjerë thonë se e bën të duket e shkëputur dhe madje ‘e çuditshme’.

Ndërsa Von der Leyen siguroi një marrëveshje të madhe me “Pfizer”-in për të prokuruar vaksinat kundër Covid-19 në 2021, kushtet e kontratave – duke përfshirë çmimin që pagoi BE – nuk janë bërë kurrë publike.

Komisioni ka refuzuar të zbulojë kontratat e vaksinës në bazë të kërkesave për lirinë e informacionit, si dhe tekstet e mesazheve të shkëmbyera midis shefit të komisionit dhe CEO të “Pfizer”, Albert Bourla. Ky refuzim tani është objekt i një padie të ngritur nga “New York Times”.

Von der Leyen, një anëtare gjermane e Partisë Popullore Europiane (EPP) e qendrës së djathtë, fitoi postin kryesor në vitin 2019 falë votave të liberalëve dhe socialdemokratëve.

Një fitues i papritur: Mario Draghi

Duke folur për italianët, në çdo bisedë për postet kryesore të BE-së, emri i Mario Draghit me siguri do të dalë në pah. Disa besojnë se ai mund të zëvendësojë Von der Leyen. Ish-kryeministri italian dhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane nuk ka patur një post drejtues që kur qeveria e tij u rrëzua në vitin 2022.

Draghi ka punuar në heshtje për një raport të konkurrencës së BE-së për të rindezur ekonominë e bllokut, e cila është duke mbetur prapa Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e goditur nga pandemia e Covid-19 dhe goditjet pasuese energjetike të lidhura me luftën në Ukrainë.

Mediat italiane kanë raportuar se presidenti francez Emmanuel Macron, mbështetësi kryesor i Von der Leyen në 2019-ën, ka folur me homologët e tij të BE-së për emërimin e Draghi për këtë rol. Drejtuesit francezë dhe italianë mbështesin shumë politika, veçanërisht huamarrjen e përbashkët në BE, por emërimi i Draghit është një mundësi e largët.

Teknokrati italian nuk është zgjedhur kurrë në poste publike dhe nuk është i lidhur me asnjë nga grupet kryesore të Parlamentit Europian që bëjnë fushatë për të siguruar këtë rol. Në moshën 76-vjeçare, disa mund të vënë në dyshim aftësinë e tij për të udhëhequr BE-në përmes sfidave të pesë viteve të ardhshme.

EPP-ja e Von der Leyen pritet të sigurojë shumicën e vendeve në parlament në zgjedhje – siç kanë bërë në çdo zgjedhje që nga viti 1999 – dhe nuk ka gjasa të heqë dorë nga pretendimi për të siguruar presidencën. Megjithatë, ka një tjetër vend vakant për një president tjetër, në Këshillin Europian. Draghi mund të gjejë një shtëpi atje nëse politika mes të majtës, të djathtës dhe liberalëve funksionon.