Aktualitet

Gara për kreun e Policisë, ministri Hoxha: U skualifikuan 4 nga 15 kandidatë!

Katër nga 15 kandidatët për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë skualifikuar. Kjo u bë e ditur sot nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin parlamentar të Sigurisë. Hoxha tha se procesi i përzgjedhjes vazhdon.

Në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë nga 15. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve, komisioni do të vlerësojë kandidatin e më vonë do të vijojë me intervistimin. Brenda kësaj jave, ministri i Brendshëm do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin, i cili pritet të jetë i aftë për ta fituar këtë garë.

Po ashtu, ministri Ervin Hoxha bëri një bilanc për vetting-un në Policinë e Shtetit, nga ku raportoi numrin e atyre që e kanë kaluar, si dhe të të përjashtuarve.

Në Policinë e Shtetit janë vetuar 35 punonjës policie, e kanë kaluar këtë veting 33. Eshtë përjashtuar një dhe u largua me dëshirë një person. Duhet që të vetohen të gjithë. Janë rreth 300 funksione që i nënshtrohen kësaj dinamike dhe ky proces po vazhdon. Në vijim do t’ju informojmë edhe për rezultatet e vetting-ut për ata persona që do të vetohen.

I thirrur nga opozita që të raportojë te Siguria lidhur me ngjarjet kriminale të verës së kaluar, Ervin Hoxha informoi dhe për atentatin me tre të vrarë në Memaliaj, si dhe vdekjen e Egli Progës në Pogradec, për të cilën pati reagime të shumta pas akuzave se u tentua manipulimi nga policia për ta bërë që të dukej aksidentale e jo vrasje.

Ngjarja e Memaliajt përçon te ne një alarm këmbane, një vrasje që ndodhi në qytet. E gjithë policia është angazhuar në zbardhjen e plotë të saj. Autori ende i pa arrestuar.

Në Pogradec janë tre shtetas të arrestur për pengimin e së të vërtetës. Veprimtaria e Policisë në këtë ngjarje është brenda standardeve. Edhe ju tentuat që ta manipuloni këtë situatë.