E ftuar në “Live from Tirana” ishte menaxherja e komunikimeve të Galerisë së Tiranës, Tana Kalemaj për të folur rreth punimeve të artistit Andy Warhol që po shfaqen për publikun shqiptar nga 5 qershori deri më 5 gusht. Andy Warhol është një ikonë e pop art, rryma e artit e bazuar në kulturën pop moderne, sidomos me qëllim për ta prezantuar atë në një frymë satirike dhe ironike.
Si fillim, ajo u pyet se kush është Andy Warhol dhe se si arritën ta sjellin këtë galeri të mirënjohur në Shqipëri:
Të sjellim Andy në Shqipëri ka marrë një vëmendje të madhe. Ai është cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të rrymës së pop art në Amerikë. Çfarë e bën të veçantë atë janë temat që ai ka trajtuar. Ai ka nisur me objekte dhe personazhe që na rrethojnë çdo ditë, por në fakt trajtimi filozofik që ky artist i ka dhënë këtyre figurave ka tërhequr vëmendje. Disa nga këto objekte kanë qenë pjesë e jetës së tij të përditshme, duke nisur nga kanaçet e supës që thoshte se konsumonte çdo ditë. Sa për ekspozitën, e gjitha nisi me një bashkëpunim me një galeri private në Slloveni, kjo na dha mundësinë t’i sillnim në Tiranë. Ata i kanë siguruar këto vepra me anë të bashkëpunimeve që kanë pasur me artistin dhe marrëdhënien personale me të. Pas bisedimeve me ta, kemi arritur që ta sjellim këtu ekspozitën.
Disa nga punimet më të rëndësishme të Andy do të jenë në ekspozitë për publikun shqiptar.
Ka ardhur koleksioni i plotë me 39 vepra dhe fokusi është në punimet që janë më të njohura. Për shembull, janë 8 punime me ngjyra të ndryshme të portretit të Marilyn Monroe dhe 3 portrete të Mao Zedong. Punime të tjera që flasin për gamën e gjerë të artistit janë dhe ato të lojrave olimpike. E megjithëse pa pasion për sportin, ai kishte një adhurim dhe vlerësim për sportistët dhe performancën e tyre. Sigurisht që punimi me kanaçe nuk mungon, është një nga veprat e tij më ikonike. Si çdo artist, ai ka kaluar periudha të errëta dhe i ka transmetuar ato në veprat e tij, si ajo e Beethoven, që tërheq shumë vëmendje me pentagramet dhe notat muzikore të tij. Këto punime mbartin një aspekt të filozofisë së Andy, por sigurisht jo të gjitha. Cikli i luleve nuk ka ndonjë filozofi specifike, por sidoqoftë tërheq vëmendjen. Së fundmi, punimi më teknik i tij është Luani, i cili do të jetë prezent në galeri.
E pyetur rreth çfarë aspekti të Warhol i la më shumë përshtypje, ajo tha:
Do të thoja se mënyra se si ai u bë shumë bashkë me publikun dhe filozofia e tij që pak a shumë mund të përmblidhet si “kjo që bëj unë, mund ta bëni dhe ju”. Për sa i përket ekspozitës, do të zgjidhja ‘Ladies and Gentlemen’. Këtë punim, madje dhe fotografimin e këtyre personazheve, ai e ka realizuar vetë. Angazhimi dhe përfshirja që ka në punën e tij më ka bërë përshtypje. Në fakt, ka qenë një emocion për gjithë stafin e galerisë, sepse po sjellim një artist të madh dhe të mirënjohur në galerinë tonë të vogël dhe modeste.
Fatkeqësisht, duket sikur publiku shqiptar nuk është aq i interesuar në veprat e tij:
Numri më i madh i vizitorëve janë turistë të huaj. Ka më pak shqiptarë që vijnë dhe shohin. Nuk do të përmend arsye, por ky është fakt. Ka më tepër turistë sesa qytetarë të Tiranës. Megjithatë, ka një kuriozitet nga të gjithë që mos ta humbin, është një koleksion shumë i rrallë. Nga ana jonë, ne po përpiqemi të sjellim sa më shumë grupe, sidomos shkollat verore, që të njihen me galerinë dhe artistin.